Shqipëria, e para në Europën Juglindore me rregullore të sigurisë kibernetike në sektorin energjetik


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përgëzoi sot, Entin Rregullator të Energjisë për miratimin e Rregullores së parë të Shqipërisë për sigurinë kibernetike në sektorin e energjisë.
Kjo rregullore e re, e hartuar me mbështetjen e USAID/Albania, Shoqatës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Komisionerëve Rregullatorë të Shërbimeve, ekspertëve të energjisë nga shtetit i Connecticut dhe Agjencisë për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë, është e para e këtij lloji në Europën Juglindore dhe do të shërbejë si model për vendet e tjera në rajon dhe në botë.
Ndërsa sulmet kibernetike në rrjetet e energjisë elektrike në të gjithë rajonin kanë përparuar në frekuencën dhe sofistikimin e tyre, siguria kibernetike e energjisë është bërë jetike për pavarësinë e çdo kombi.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh se, “ndërsa hyjmë në muajin e ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, unë dua të përgëzoj Entin Rregullator të Energjisë në Shqipëri, i cili u bë rregullatori i parë i energjisë në Europën Juglindore që miratoi një rregullore të sigurisë kibernetike për mbrojtjen e rrjetit të energjisë elektrike”.
“Pse është e rëndësishme kjo? Sepse jeta jonë e përditshme dhe ekonomia jonë varen nga energjia elektrike dhe ne nuk mund të lejojmë që sulmet në rrjetet tona të prishin ose kompromentojnë shërbimet. Një sulm në rrjetin elektrik mund të ndërpresë energjinë në spitale, biznese dhe shtëpi në ëdo cep të vendit”, tha Kim.
“Ndërsa sulmet kibernetike në rrjetet e energjisë elektrike janë shtuar në të gjithë rajonin, siguria kibernetike që mbron rrjetet dhe sistemet tona është jetike për sigurinë dhe pavarësinë e çdo kombi”, theksoi Kim.
“Me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, Shoqatës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Komisionerëve Rregullatorë të Shërbimeve dhe ekspertëve të energjisë nga Shteti i Konektikatit, Shqipëria është një hap më pranë një rrjeti më të sigurt të energjisë”, nënvizoi ambasadorja Kim.
“Miratimi i kësaj rregulloreje për sigurinë kibernetike të energjisë elektrike tregon partneritetin tonë të fuqishëm me popullin e Shqipërisë. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë Shqipërinë, Aleatin tonë të NATO-s, të forcojë kapacitetet e saj për të parandaluar, mbrojtur dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike kundër rrjetit të energjisë elektrike”, tha Kim.
“Ne jemi krenarë që me mbështetjen tonë, Shqipëria është pozicionuar si një udhëheqëse rajonale në këtë fushë
Ndërsa Petrit Ahmeti, kryetar i Bordit të ERE-s, shprehu mirënjohjen ndaj USAID, i cili, sipas tij, “na mundësoi përgatitjen dhe miratimin e rregullores së parë të sigurisë kibernetike për infrastrukturën kritike në sektorin e energjisë elektrike”.
“Unë e vlerësoj rëndësinë e këtij dokumenti për performancën e shoqërive që operojnë në sektorin e energjisë elektrike dhe shpresoj në një bashkëpunim më të frytshëm dhe mëtejshëm me USAID në zbatimin e kësaj rregulloreje”, u shpreh Ahmeti.
Eunews.al
