Gjykata federale rrëzon bllokimin e vizave për 75 vende, përfshiheshin edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

22 Aug 2026 18:30
Shpërndaje:

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar politikën e administratës së Presidentit Donald Trump që kishte pezulluar përpunimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Jeannette A. Vargas në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, e cila e ka cilësuar masën si “në kundërshtim me ligjin”, duke argumentuar se Departamenti i Shtetit kishte tejkaluar kompetencat e tij ligjore.

Politika kishte hyrë në fuqi në janar dhe prekte afërsisht 40 për qind të vendeve të botës. Ajo bazohej në argumentin e administratës se migrantët nga disa vende mund të përbënin një “barrë publike” për Shtetet e Bashkuara, përmes përdorimit të programeve të ndihmës sociale.

Reklamë Ola

Departamenti i Shtetit kishte argumentuar se masa synonte të parandalonte hyrjen e emigrantëve që mund të bëheshin të varur nga fondet publike. Por gjykata vlerësoi se ky arsyetim nuk mund të përdorej për të bllokuar në mënyrë të përgjithshme aplikantët vetëm mbi bazën e shtetësisë së tyre.

Sipas vendimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte tejkaluar “autoritetin e tij statutor dhe rregullator” kur kishte miratuar udhëzimin.

Reklamë InterMedika

Gjykata konstatoi se politika shkel Seksionin 1152(a)(1)(A) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë të vitit 1965, i cili ndalon diskriminimin në lëshimin e vizave imigruese bazuar vetëm në kombësinë, vendin e lindjes apo vendbanimin e aplikantit.

Gjyqtarja theksoi se zyrtarët konsullorë ishin udhëzuar të refuzonin aplikimet vetëm për shkak të vendit të origjinës, pa vlerësuar individualisht nëse aplikanti i plotësonte kriteret ligjore.

Me vendimin e ri, refuzimet e bazuara vetëm në këtë politikë janë shfuqizuar, ndërsa Departamenti i Shtetit është urdhëruar që aplikimet të shqyrtohen sërish në mënyrë individuale dhe sipas rregullave të zakonshme.

Vendimi përbën një goditje të rëndësishme për politikën e imigracionit të administratës Trump, e cila gjatë mandatit të dytë ka ndërmarrë një sërë masash për kufizimin e emigracionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe përshpejtimin e deportimeve.

Megjithatë, çështja mund të mos mbyllet këtu. Qeveria federale ka të drejtë ta apelojë vendimin, çka mund ta çojë betejën ligjore në një gjykatë më të lartë.

Mes 75 vendeve të prekura nga pezullimi ishin edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Lista përfshinte gjithashtu Afganistanin, Algjerinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Bangladeshin, Bjellorusinë, Brazilin, Kamerunin, Kolumbinë, Kubën, Egjiptin, Etiopinë, Gjeorgjinë, Iranin, Irakun, Jordaninë, Kazakistanin, Libanin, Libinë, Marokun, Nepalin, Nigerinë, Pakistanin, Rusinë, Sirinë, Tunizinë, Uzbekistanin dhe Jemenin, mes të tjerëve.

Vendimi i gjykatës nuk do të thotë se aplikantët nga këto vende do të marrin automatikisht vizë. Ai rikthen vetëm detyrimin që secili rast të shqyrtohet individualisht, sipas kritereve të ligjit amerikan të imigracionit, dhe jo të refuzohet paraprakisht vetëm për shkak të kombësisë së aplikantit.