Rama: Reforma territoriale është në konsultim, të gjithë do të dëgjohen

02 Aug 2026 23:21
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kundërshtive dhe protestave që kanë shoqëruar propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale, duke theksuar se procesi ndodhet në fazën e konsultimit publik 60-ditor dhe se çdo qytetar apo institucion ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama u shpreh se debati publik është normal dhe i mirëpritur, por dënoi djegien e teserave të Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një “akt të turpshëm”. Ai kritikoi gjithashtu disa deputetë socialistë, duke thënë se kanë marrë rolin e “tribunit të vegjëlisë” pa e kuptuar plotësisht përmbajtjen e reformës.

Sipas kryeministrit, dokumenti i reformës është në fazën ligjore të konsultimit publik dhe pikërisht për këtë arsye çdo palë është e lirë të japë opinionin e saj. Ai shtoi se, sipas ligjit, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre dhe se edhe format paqësore të kundërshtimit janë të pranueshme, për sa kohë nuk cenojnë rendin publik apo të drejtat e qytetarëve të tjerë.

Reklamë Ola

Rama hodhi poshtë pretendimet për mungesë demokracie, duke deklaruar se “as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë vendime që pengojnë shprehjen e lirë të mendimit”. Ai theksoi se vendimin përfundimtar do ta marrë Kuvendi, por deri atëherë do të dëgjohen të gjitha propozimet dhe qëndrimet.

Kryeministri shtoi se gjatë periudhës së konsultimit do të shpjegohen më gjerësisht arsyet që kanë çuar në hartimin e reformës, duke theksuar se propozimet janë mbështetur në kritere funksionale dhe jo në argumente historike apo simbolike, si reputacioni i një zone apo ngjarje të së kaluarës.

Reklamë InterMedika