Vendimi i administratës së Donald Trump për të rikthyer Rusinë në një takim të nivelit të lartë të zyrtarëve ekonomikë të G20 ka shkaktuar tensione të reja me aleatët europianë, të cilët kërkojnë që Moska të vazhdojë të izolohet për shkak të luftës në Ukrainë.
Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, mori pjesë të hënën në ditën e parë të takimit të G20 të organizuar nga Shtetet e Bashkuara në Asheville të Karolinës së Veriut. Në kuadër të takimit, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, zhvilloi edhe një takim dypalësh me Siluanov.
Pjesëmarrja e ministrit rus u kundërshtua nga përfaqësuesit europianë dhe shkaktoi përplasje edhe rreth fotografisë tradicionale të përbashkët të pjesëmarrësve.
Erin Browne, nënsekretare e Thesarit amerikan për çështjet ndërkombëtare, deklaroi për POLITICO se Bessent pati një “takim produktiv” me ministrin rus dhe i përcolli atij mesazhin se lufta duhet të përfundojë dhe se Uashingtoni kërkon një zgjidhje paqësore.
Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Thesarit, në takim u diskutua edhe për planin e Presidentit Trump për paqen dhe rritjen ekonomike.
Browne sqaroi se përfshirja e Rusisë në takim ishte një vendim i marrë nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne po ndjekim protokollin e Shtëpisë së Bardhë”, deklaroi ajo.
I pyetur nga gazetarët për praninë e Rusisë në takim, Trump e mbrojti vendimin e administratës së tij.
“Ne duam të shkojmë mirë me të gjithë. Një nga arsyet pse jam kaq i suksesshëm është se shkoj mirë me të gjithë”, tha Presidenti amerikan.
Megjithatë, gjatë takimit me Siluanov, Bessent i bëri të qartë palës ruse se SHBA nuk do të ofrojë lehtësim ekonomik për Moskën përpara përfundimit të luftës në Ukrainë.
Sipas një personi në dijeni të bisedimeve, kur ministri rus tentoi të diskutonte fusha të mundshme bashkëpunimi, Bessent e ndërpreu duke theksuar se “asgjë nuk është e mundur derisa lufta të përfundojë”.
Rikthimi i një zyrtari të lartë rus në këtë format përbën një ndryshim të dukshëm nga politika që Uashingtoni ndoqi pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Gjatë administratës së Joe Biden, zyrtarët amerikanë iu bashkuan aleatëve europianë në kundërshtimin publik të pjesëmarrjes së Moskës në forumet ndërkombëtare ekonomike. Në vitin 2022, ish-Sekretarja e Thesarit Janet Yellen ishte mes zyrtarëve perëndimorë që u larguan nga një takim i G20 kur nisi të fliste një përfaqësues rus.
Kundërshtimi europian u shfaq hapur edhe në Asheville. Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, deklaroi se kishte bërë të qartë se nuk do të pozonte në fotografinë e përbashkët me ministrin rus, duke kujtuar se një situatë e tillë ishte shmangur gjatë viteve të fundit.
Klingbeil tha se e kishte koordinuar qëndrimin e tij me përfaqësuesit e tjerë europianë.
“Qasja e bashkuar e europianëve bëri që fotografia e grupit të realizohej pa ministrin rus të Financave dhe pa delegacionin rus”, deklaroi ai.
Departamenti amerikan i Thesarit publikoi më vonë fotografinë zyrtare, në të cilën Siluanov nuk ishte i pranishëm.
Klingbeil tha gjithashtu se gjatë takimeve në Asheville shfrytëzoi mundësinë për t’i thënë drejtpërdrejt ministrit rus të Financave se qeveria e Moskës duhet t’i japë fund luftës kundër Ukrainës.
Vendimi i administratës Trump u kritikua edhe në SHBA. Senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtarja më e lartë demokrate në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, deklaroi se administrata duhet të ushtrojë presion ndaj Presidentit Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe jo t’u ofrojë atyre një platformë ndërkombëtare.
Shaheen i bëri gjithashtu thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të miratojë paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, e cila kaloi me mbështetje të gjerë në Senat në fillim të këtij muaji.


