SHBA i jep Hamasit 60-90 ditë për t’u çarmatosur, Kushner: Në të kundërt Izraeli do të ketë mbështetje për të vepruar

18 Aug 2026 11:09
Shpërndaje:

Shtetet e Bashkuara presin që Hamasi të nisë së shpejti procesin e çarmatosjes në Rripin e Gazës, ndërsa kanë paralajmëruar se Izraeli mund të marrë mbështetje më të gjerë për veprime të mëtejshme ushtarake nëse grupi palestinez nuk përmbush angazhimet e tij.

I dërguari special amerikan, Jared Kushner, deklaroi se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse procesi i paqes do të avancojë. Në një intervistë për Fox News, pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Kushner tha se Hamasi ka një afat prej 60 deri në 90 ditësh për të dëshmuar se është serioz për çarmatimin.

“Nëse Hamasi i dorëzon armët në tunele me dëshirë gjatë 60 deri në 90 ditëve të ardhshme, kjo do të ishte eliminimi i një kërcënimi të madh sigurie për Izraelin”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Sipas Kushner, Uashingtoni pret që hapat e parë konkretë të ndërmerren edhe më herët. Ai tha se brenda rreth 30 ditësh mund të fillojë procesi i nxjerrjes së armëve nga tunelet, për t’u pasuar më pas nga trajtimi i rrjetit të tuneleve gjatë periudhës 60-90-ditore.

Megjithatë, i dërguari amerikan paralajmëroi se pasojat do të jenë të ndryshme nëse Hamasi nuk përmbush angazhimet e marra.

Reklamë InterMedika

“Nëse nuk e zbatojnë tani angazhimin e tyre, të gjithë do të shohin se nuk janë të sinqertë për paqen dhe se Izraeli do të ketë shumë më tepër mbështetje nga SHBA-të dhe të tjerët për ta përfunduar punën në mënyrën e duhur”, tha Kushner.

Deklaratat vijnë pas kontakteve të zhvilluara me përfaqësues të Hamasit. Kushner tha se gjatë takimit të së dielës përfaqësuesit e grupit palestinez “thanë të gjitha gjërat e duhura”, por theksoi se Uashingtoni vazhdon të ketë rezerva të forta për shkak të historikut të organizatës.

Sipas tij, Hamasi tashmë duhet të tregojë përmes veprimeve konkrete nëse është i gatshëm të respektojë angazhimet dhe të avancojë procesin e paqes.

Pas këtyre bisedimeve, Kushner zhvilloi edhe një takim rreth katërorësh me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të cilin e përshkroi si “shumë, shumë të mirë”.

Në qendër të diskutimeve ishin shqetësimet e Izraelit për sigurinë, e drejta e tij për t’u mbrojtur, çarmatimi i Hamasit dhe mënyra se si do të zhvillohet procesi i rindërtimit të Gazës.

Sipas Kushner, ekziston mundësia për përparim të shpejtë nëse të gjitha palët bashkëpunojnë dhe zbatojnë angazhimet e tyre. Për Uashingtonin, prova kryesore në muajt e ardhshëm do të jetë pikërisht çarmatimi i Hamasit dhe eliminimi i armëve të vendosura në rrjetin e tuneleve në Gaza.

Në të kundërt, paralajmërimi amerikan është se dështimi i procesit do të forconte argumentin e Izraelit për ndërhyrje të mëtejshme dhe do t’i siguronte atij mbështetje më të madhe nga SHBA-ja dhe partnerë të tjerë.