Kryeministri hungarez Péter Magyar ka vënë në shënjestër grupin 4iG, të cilin e akuzon se ka qenë një nga hallkat kryesore të sistemit ekonomik dhe oligarkik të ndërtuar gjatë qeverisjes së Viktor Orbán.
Në një video të publikuar në Facebook, Magyar njoftoi nisjen e një hetimi të gjerë mbi kompaninë, duke e cilësuar atë si një “përbindësh të ndërlikuar” që gjatë viteve është zgjeruar nga sektori i teknologjisë së informacionit në telekomunikacion, industrinë ushtarake dhe atë hapësinore.
Sipas kryeministrit, në hetim janë përfshirë katër ministri dhe në fokus do të jenë struktura e pronësisë së 4iG, marrëdhëniet e saj financiare dhe kontraktuale me shtetin, si edhe kompanitë që kontrollohen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga grupi.
Magyar pretendon se një pjesë e konsiderueshme e zgjerimit të kompanisë është realizuar përmes financimeve dhe transaksioneve të lidhura me shtetin hungarez. Ai përmendi rreth 389 miliardë forinta të siguruara përmes Programit të Obligacioneve të Rritjes së Bankës Kombëtare Hungareze, si dhe operacionet që çuan në blerjen e Antenna Hungária dhe Vodafone Hungary.
Sipas tij, në janar 2023, Antenna Hungária dhe shteti hungarez blenë së bashku Vodafone Hungary për 660 miliardë forinta. Shteti mori 49% të aksioneve, me një vlerë prej rreth 323 miliardë forintash.
Kryeministri ngriti akuza edhe për rolin e bankës shtetërore hungareze të zhvillimit në financimin e 4iG, duke pretenduar se para publike janë përdorur për operacione që përfshinin asete strategjike të vendit.
“Kjo nuk ishte thjesht vjedhje, ky ishte dobësim dhe plaçkitje sistematike e shtetit hungarez”, deklaroi Magyar.
Hetimi, sipas tij, do të shtrihet edhe te transferimet e pronave dhe aseteve të industrisë ushtarake, si dhe te lëvizjet financiare të shtetit të lidhura me këto operacione.
Magyar pretendon se në total bëhet fjalë për “mijëra miliarda forinta” të parave publike dhe premtoi se rezultatet e hetimeve do të bëhen publike.
Nëse zbulohen parregullsi, keqpërdorim i fondeve publike apo elementë të veprave penale, qeveria do t’u drejtohet institucioneve kompetente dhe do të kërkojë rikuperimin e parave dhe pasurive që mund t’i jenë marrë shtetit, tha ai.
Kryeministri lëshoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë për drejtuesit dhe pronarët e 4iG-së, si dhe për kompani të tjera që ai i lidh me sistemin NER të periudhës së Orbánit, duke u kërkuar të mos transferojnë apo fshehin pasuritë.
“Paratë publike nuk janë para private ose pasuri private. Shteti nuk është një bankë private. Dhe pasuria kombëtare nuk është mundësi biznesi e një pakice të zgjedhur”, deklaroi Magyar.
Ai u bëri thirrje kompanive dhe biznesmenëve që mund të kenë përfituar në mënyrë të parregullt nga fondet publike që t’i kthejnë ato në Thesarin e Shtetit Hungarez.
Mesazhin e tij për ata që pretendon se janë pasuruar përmes parave publike, Magyar e mbylli me një paralajmërim të shkurtër: “Ne po ju vëzhgojmë.”


