Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, inspektuan masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Vizita zhvillohet në një periudhë kur Saranda po përballet me flukse të larta turistësh, si në port ashtu edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar.
Gjatë inspektimit, Lamallari theksoi se siguria e qytetarëve dhe turistëve, ruajtja e rendit publik dhe reagimi i shpejtë i strukturave ligjzbatuese mbeten prioritetet kryesore.
“Sa më shumë ata vijnë e vizitojnë jo vetëm Sarandën, por gjithë bregdetin shqiptar, kjo nënkupton më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit”, deklaroi ministri.
Lamallari paralajmëroi se gjatë sezonit turistik do të ketë zero tolerancë ndaj paligjshmërisë, duke përfshirë aktivitetet kriminale, shkeljet e ndryshme dhe problematikat që lidhen me sigurinë rrugore.
“Do të lejojmë zero paligjshmëri. Kurdoherë që kërkohet ndihmë nga qytetarët, reagimi i shpejtë, i menjëhershëm i Policisë së Shtetit është kritik”, u shpreh ai.
Një tjetër pikë e diskutimeve ishte bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor. Sipas Lamallarit, rritja e cilësisë së turizmit dhe kontributit të tij në ekonomi kërkon koordinimin e të gjithë aktorëve përgjegjës.
Në fokus të inspektimit ishin gjithashtu administrimi i plazheve dhe hapësirave publike, siguria dhe aksesueshmëria për pushuesit, si dhe respektimi i rregullave për zhurmat.
Autoritetet thanë se masat dhe kontrollet do të vijojnë gjatë sezonit, me synimin për të garantuar një turizëm të sigurt dhe cilësor për vizitorët vendas dhe të huaj.


