Serbia braktis sallën gjatë prezantimit të Kosovës për Lojërat Mesdhetare 2030

21 Aug 2026 09:04
Shpërndaje:

Delegacioni i Serbisë është larguar nga salla në shenjë proteste gjatë prezantimit të Kosovës për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, raportoi para përfaqësuesve të vendeve anëtare për ecurinë e punës dhe hapat e ndërmarrë deri më tani për organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive që pritet të zhvillohet në Kosovë.

Gjatë prezantimit, Gashani paraqiti materiale vizuale, statistika dhe të dhëna mbi progresin e bërë në aspektin organizativ dhe infrastrukturor për Prishtina 2030.

Reklamë Ola

Raportimi ishte pjesë e agjendës së rregullt të Asamblesë së ICMG-së, ku vendet organizatore informojnë anëtarët mbi përgatitjet për edicionet e ardhshme të Lojërave Mesdhetare.

Prezantimi i Kosovës u shoqërua me një incident diplomatik, pasi delegacioni serb u largua nga salla në momentin kur Kosova po raportonte për Prishtina 2030, duke shprehur në këtë mënyrë kundërshtimin e tij.

Reklamë InterMedika

Pavarësisht largimit të delegacionit serb, prezantimi vijoi normalisht dhe përfaqësuesit e Kosovës raportuan para Asamblesë mbi punën e realizuar dhe objektivat e ardhshme.

Kosova synon që gjatë katër viteve të ardhshme të përfundojë investimet dhe përgatitjet e nevojshme infrastrukturore dhe organizative për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.