Ora e Pritjes” vendoset në Prishtinë, nis numërimi mbrapsht deri më 16 shtator për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

22 Aug 2026 16:34
Shpërndaje:

“Ora e Pritjes” është vendosur zyrtarisht në Prishtinë, duke nisur simbolikisht numërimin mbrapsht deri më 16 shtator, datë kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Nisma është ndërmarrë nga platforma “Liria ka Emër”, e cila po zhvillon një sërë aktivitetesh në prag të vendimit. Në ceremoninë e organizuar në kryeqytet morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë, qytetarë dhe figura politike.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se ndërsa koha e pritjes po shkurtohet, kujtesa për luftën e UÇK-së duhet të bëhet edhe më e fortë.

Reklamë Ola

“Pritja tashmë është shkurtuar. Por kujtesa jonë nuk shkurtohet. Përkundrazi, sa më shumë afrohet dita, aq më zëshëm duhet të themi atë që kemi për të thënë”, u shpreh Hamza.

Edhe nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, foli për pritjen e vendimit nga familjet, ish-bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Kosovës.

Reklamë InterMedika

“Në Hagë gjenden figurat drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor të padrejtë. Familjet e tyre po presin, bashkëluftëtarët po presin, shokët po presin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës po presin”, deklaroi Musmurati.

Ismail Tasholli, nga platforma “Liria ka Emër”, e cilësoi instalacionin si një simbol të pritjes së shoqërisë kosovare dhe shprehu shpresën që 16 shtatori të shënojë një moment të ri.

“Në një shoqëri janë ato orët tipike që numërohen mbrapsht. Dhe ne po shpresojmë që më 16 shtator ora e mbrapsht do të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, tha Tasholli.

Ndërkohë, zhvillimet rreth procesit në Hagë janë reflektuar edhe në debatin politik në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, propozoi që Hashim Thaçi, në rast të kthimit të tij, të vazhdojë detyrën e presidentit të Kosovës aty ku e kishte lënë.

Sipas Haradinajt, një vendim i tillë do të kishte edhe një domethënie politike dhe kombëtare.

“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati dhe, me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ia vazhdojmë mandatin”, deklaroi Haradinaj.

Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës në nëntor të vitit 2020, pasi ndaj tij u konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Ora e Pritjes” është pjesë e aktiviteteve që platforma “Liria ka Emër” ka planifikuar për javët përpara vendimit. Mes tyre është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë më 12 shtator, vetëm pak ditë përpara datës së pritshme të shpalljes së vendimit.