Miliband ndryshon kursin e diplomacisë britanike, klima dhe marrëdhëniet me Europën në qendër të politikës së jashtme

30 Jul 2026 09:56
Shpërndaje:

Ministri i ri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Ed Miliband, ka sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet e politikës së jashtme britanike, duke vendosur në qendër luftën kundër ndryshimeve klimatike, zhvillimin ndërkombëtar dhe rindërtimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian.

Sipas një analize të POLITICO, Miliband e ka nisur mandatin me një qasje shumë më aktive se paraardhësja e tij, Yvette Cooper, e cila është emëruar ministre e Shëndetësisë.

Ish-kreu i Partisë Laburiste e konsideron zhvillimin ndërkombëtar dhe klimën si elemente kyçe të detyrës së tij. Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se gjatë bisedimeve me kryeministrin Andy Burnham, Miliband mori garanci se do të kishte mbështetje për ta bërë luftën kundër ndryshimeve klimatike një nga prioritetet kryesore të diplomacisë britanike.

Reklamë Ola

Për të theksuar këtë qasje, vizitat e para jashtë vendit i zhvilloi në Francë dhe Spanjë, ku u takua me homologët Jean-Noël Barrot dhe José Manuel Albares, në një kohë kur të dy vendet po përballen me zjarre masive.

Në një aktivitet të organizuar nga think tank-u IPPR, Miliband deklaroi se dëshiron që klima dhe mbrojtja e mjedisit të kenë një rol shumë më të madh në politikën e jashtme të Britanisë.

Reklamë InterMedika

“Unë jam politikan, jo diplomat karriere”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se synon të ketë një rol më aktiv dhe politik në drejtimin e diplomacisë.

Për të përgatitur mandatin e tij, Miliband ka kërkuar këshilla edhe nga figura me përvojë të politikës britanike, përfshirë Ed Llewelyn, ish-këshilltar i David Cameron dhe ish-drejtues i Foreign Office.

Sipas POLITICO, ai pritet të zhvillojë një takim edhe me ish-kryeministrin David Cameron për të përfituar nga përvoja e tij në drejtimin e diplomacisë britanike.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rikthimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian në fokusin e Foreign Office. Miliband ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në takimin informal të ministrave të Jashtëm të BE-së në shtator.

“Interesat ekonomike dhe të sigurisë së Britanisë shërbehen më mirë nga një marrëdhënie më e fortë me aleatët tanë europianë. Si ministër i Jashtëm, do ta vendos këtë objektiv në zemër të politikës sonë të jashtme”, deklaroi ai.

Në të njëjtën linjë, Hamish Falconer është emëruar ministër për Europën dhe njëkohësisht ministër për marrëdhëniet ndërqeveritare, duke rikthyer koordinimin e çështjeve europiane nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme, pas disa vitesh kur ato menaxhoheshin nga Zyra e Kabinetit.

Falconer ka deklaruar se forcimi i marrëdhënieve me Europën do të jetë një pjesë e rëndësishme e axhendës së qeverisë së re.

Ndërkohë, samiti mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, i planifikuar fillimisht për 22 korrik për të përfunduar negociatat mbi marrëveshje të reja tregtare dhe bashkëpunimi, u shty pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Keir Starmer.

Kryeministri Andy Burnham ka bërë të ditur se synon që samiti të zhvillohet brenda këtij viti, megjithëse ende nuk është caktuar një datë e re.