Salla: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” po nxit investimet dhe eksportet në agropërpunim

29 Jul 2026 12:39
Shpërndaje:

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se investimet në agropërpunim, zgjerimi i bashkëpunimit me fermerët dhe rritja e eksporteve të produkteve shqiptare po mbështeten përmes politikave të qeverisë dhe programeve të financimit për biznesin.

Gjatë një vizite në kompaninë “Fenix” në Elbasan, e specializuar në përpunimin e ullirit, vajit të ullirit dhe produkteve të peshkut, Salla vlerësoi zhvillimin e sipërmarrjes, duke e cilësuar atë një shembull të suksesit në agroindustri.

Sipas ministrit, investimet në teknologji moderne, mbështetja nga Skema Kombëtare dhe zhvillimi i markës “Toka” kanë mundësuar zgjerimin e aktivitetit të kompanisë, rritjen e punësimit dhe forcimin e bashkëpunimit me fermerët.

Reklamë Ola

“Me investime në teknologji moderne, mbështetje nga Skema Kombëtare dhe së fundmi me markën e saj ‘Toka’, kompania ka zgjeruar aktivitetin, ka krijuar më shumë vende pune dhe ka forcuar bashkëpunimin me mbi 100 fermerë të zonës, ndërsa produktet e saj eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe tregjet evropiane”, u shpreh Salla.

Ai theksoi se ky model dëshmon se investimet në përpunimin e produkteve bujqësore krijojnë vlerë të shtuar për prodhimin vendas, rrisin të ardhurat e fermerëve dhe forcojnë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Reklamë InterMedika

Ministri bëri të ditur se qeveria do të vijojë të mbështesë sipërmarrjet që investojnë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese përmes programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

“Përmes nismës ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, po mbështesim sipërmarrjet që investojnë, rrisin kapacitetet përpunuese, krijojnë vende të reja pune dhe zgjerojnë praninë e produkteve ‘Made in Albania’ në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Programi synon të lehtësojë aksesin në financim për bizneset përmes kredive me kushte të favorshme dhe garancisë sovrane, duke nxitur investimet në sektorët prodhues, përpunues dhe eksportues.

Në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit, kjo nismë pritet të kontribuojë në modernizimin e teknologjisë, rritjen e vlerës së produkteve bujqësore dhe forcimin e bashkëpunimit mes industrisë përpunuese dhe fermerëve.

Përmes programit, sipërmarrjet mund të përfitojnë kredi deri në 200 milionë lekë, me norma interesi nga 2% deri në 3%, ndërsa shteti mbulon deri në 70% të riskut të kredisë përmes garancisë sovrane.

Financimi mund të përdoret për investime në makineri dhe pajisje, teknologji, zgjerim të kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, digjitalizim, certifikime dhe investime të tjera që rrisin konkurrueshmërinë e biznesit.

Programi ka një fond prej 250 milionë eurosh, ndërsa aplikimet do të jenë të hapura deri më 20 nëntor 2027 dhe kryhen pranë bankave të nivelit të dytë që janë bërë pjesë e kësaj skeme financimi.