Rusia po përgatitet të ndërmarrë një valë të gjerë sulmesh kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa autoritetet në Kiev paralajmërojnë se Moska mund të jetë duke planifikuar gjithashtu një ofensivë të re tokësore drejt kryeqytetit dhe Chernihiv.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi të dielën se forcat e saj kanë “nisur përgatitjet për të kryer sulme masive ndaj objekteve energjetike të Ukrainës”, duke e paraqitur këtë si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ukrainase mbi infrastrukturën energjetike ruse.
Paralajmërimi vjen në një moment kur Kievi po përpiqet të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit energjetik përpara muajve të ftohtë. Në fillim të gushtit, ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal, kishte deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin synon “t’i japë goditjen përfundimtare sistemit energjetik” të Ukrainës.
Sipas Shmyhal, autoritetet ukrainase po punojnë për forcimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve energjetike, me qëllim shmangien e përsëritjes së ndërprerjeve të energjisë elektrike që goditën vendin gjatë dimrit të kaluar.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se forcat e saj kishin kryer “sulme të koordinuara” ndaj një objekti industrial në zonën e Kievit.
Të premten, një sulm rus goditi një magazinë në Myla, pranë kryeqytetit ukrainas. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi të dielën se 38 persona humbën jetën, 20 të tjerë u plagosën dhe katër persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Zjarret e shkaktuara nga sulmi dëmtuan gjithashtu të paktën 50 banesa.
Zelensky deklaroi se vetëm gjatë javës së fundit Rusia ka përdorur rreth 2 mijë dronë sulmues, më shumë se 1,600 bomba ajrore dhe 31 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës.
Paralelisht me kërcënimin ndaj infrastrukturës energjetike, zyrtarët ukrainas thonë se informacionet e inteligjencës tregojnë se Rusia mund të jetë duke përgatitur një operacion të ri tokësor drejt Kievit.
Pavlo Palisa, zëvendësshef i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, deklaroi se drejtuesit ushtarakë rusë kanë marrë detyrën nga udhëheqja politike e Kremlinit për të planifikuar dhe përgatitur operacione që synojnë si kryeqytetin ukrainas, ashtu edhe qytetin e Chernihiv.
Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet edhe mes vendeve të NATO-s. Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi të shtunën se kishte diskutuar situatën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke paralajmëruar se përshkallëzimi nga ana e Rusisë po vazhdon.
“Ukraina ka nevojë për mbështetje më të madhe ajrore”, deklaroi Tusk, ndërsa Kievi kërkon forcimin e kapaciteteve të tij mbrojtëse përballë një vale të mundshme sulmesh ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave të tjera në vend.


