Institucionet e Bashkimit Europian dhe disa prej vendeve kryesore anëtare po shqyrtojnë reformimin e modelit të zgjerimit, duke i dhënë një rol më të madh integrimit gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të tyre me të drejta të plota.
Komisioni Europian ka konfirmuar për A2CNN se integrimi gradual konsiderohet një instrument për të nxitur vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, që të përmbushin detyrimet e procesit të anëtarësimit, ndërkohë që përfitojnë hap pas hapi nga përfshirja në sektorë dhe politika të caktuara të BE-së.
“Integrimi gradual nuk është një ide e re. Ai është një mekanizëm që mbështet vendet kandidate dhe kandidatët potencialë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, në varësi të përmbushjes së disa kritereve të caktuara. Integrimi gradual sjell përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit të plotë. Në të njëjtën kohë, ai i nxit partnerët e BE-së në procesin e zgjerimit që të intensifikojnë përpjekjet e tyre në rrugën drejt Bashkimit Europian”, është shprehur Komisioni Europian për A2CNN.
Qasja parashikon që vendet që avancojnë me reformat dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara të mund të përfshihen gradualisht në fusha të caktuara të tregut dhe politikave europiane, pa qenë ende anëtare me të drejta të plota të Unionit.
Brukseli sjell si shembuj të këtij procesi përfitimet që qytetarët e vendeve kandidate kanë marrë tashmë përpara anëtarësimit. Në rastin e Shqipërisë, ndër shembujt konkretë përmenden përfshirja në Zonën Unike të Pagesave në Euro, SEPA, si dhe marrëveshjet me BE-në në fushën e roaming-ut.
Nevoja për një qasje të re ndaj zgjerimit lidhet edhe me zhvillimet gjeopolitike dhe synimin për të afruar më shpejt vendet kandidate me Bashkimin Europian. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka pranuar këtë qasje gjatë deklaratave të bëra disa ditë më parë në Zagreb.
Sipas saj, Komisioni Europian pritet që në shtator t’u paraqesë vendeve anëtare propozimin për mënyrën se si mund të zhvillohet më tej procesi, ndërsa çështja pritet të diskutohet më pas në tetor në Këshillin e BE-së.
Për Shqipërinë, e cila deri tani ka mbyllur tre kapituj të negociatave, ndryshimet e mundshme në modelin e zgjerimit mund të krijojnë mundësi për një integrim më të shpejtë në fusha të caktuara, për sa kohë vendi përmbush kriteret e kërkuara.
Tirana zyrtare është shprehur e hapur ndaj formulave që mund të përshpejtojnë afrimin me BE-në. Shqipëria ka shprehur madje gatishmërinë që, në kuadër të një modeli të mundshëm të anëtarësimit të përshpejtuar, të heqë dorë përkohësisht nga disa të drejta institucionale, përfshirë komisionerin europian dhe të drejtën e vetos.
Një qëndrim të ndryshëm ka Mali i Zi, vendi më i avancuar në procesin e integrimit europian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Podgorica ka këmbëngulur se objektivi i saj mbetet anëtarësimi me të drejta të plota dhe jo një formulë alternative apo e ndërmjetme.
Diskutimet e muajve të ardhshëm në institucionet europiane pritet të tregojnë se deri ku do të shkojë reforma e modelit aktual të zgjerimit dhe se çfarë përfitimesh konkrete mund t’u ofrohen vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.


