Frikë nga fitorja e AfD-së në Saksoni-Anhalt, emigrantët mendojnë largimin nga landi gjerman

30 Aug 2026 18:40
Shpërndaje:

Shumë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në landin gjerman të Saksoni-Anhaltit po mendojnë të largohen, ndërsa rriten shqetësimet për një fitore historike të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet rajonale të së dielës së ardhshme.

AfD-ja, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra kundër emigracionit dhe Islamit, synon të sigurojë për herë të parë një rezultat që do t’i mundësonte të merrte drejtimin e një landi gjerman dhe potencialisht të qeveriste pa pasur nevojë për partnerë të tjerë.

Kandidati i AfD-së për kryeministër të Saksoni-Anhaltit, Ulrich Siegmund, ka premtuar se, nëse merr pushtetin, do të nisë menjëherë një fushatë dëbimesh. Ai këmbëngul se masat do të drejtohen vetëm ndaj personave që qëndrojnë ilegalisht në Gjermani, por retorika e përdorur gjatë fushatës ka shtuar ndjeshëm pasigurinë mes komuniteteve me origjinë të huaj.

Reklamë Ola

Shqetësimi është reflektuar edhe në Magdeburg, ku rreth 150 restorante, kioska dhe berberhane të drejtuara nga emigrantë u mbyllën përkohësisht në shenjë proteste ndaj asaj që organizatorët e konsiderojnë një klimë në rritje të ksenofobisë.

Mes atyre që po mendojnë të ardhmen e tyre në land është edhe mjeku sirian Ayman Alyoussef, i cili drejton një shërbim kardiologjie në Quedlinburg. Pavarësisht punës së tij në sistemin shëndetësor gjerman, ai thotë se së bashku me familjen vazhdon të përballet me armiqësi në jetën e përditshme.

Reklamë InterMedika

Alyoussef ka paralajmëruar se mund të largohet nga Saksoni-Anhalti nëse armiqësia dhe urrejtja ndaj të huajve vazhdojnë të përhapen. Një largim i tillë nuk shihet vetëm si problem social dhe politik, por edhe si një rrezik konkret për ekonominë dhe shërbimet publike të landit.

Punëdhënësit dhe ekonomistët paralajmërojnë se largimi i punonjësve me origjinë të huaj ose politika më të ashpra të dëbimeve mund ta përkeqësojnë më tej krizën demografike me të cilën përballet Saksoni-Anhalti.

Që prej ribashkimit të Gjermanisë, landi ka humbur pothuajse një të katërtën e popullsisë së tij. Në këto kushte, punonjësit e huaj janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm për plotësimin e vendeve të lira të punës dhe funksionimin e sektorëve kyç.

Një nga fushat më të ekspozuara është shëndetësia. Drejtori i klinikës në Quedlinburg ka paralajmëruar se institucioni nuk do të mund të vazhdonte aktivitetin pa mjekët dhe infermierët me origjinë të huaj. Sipas tij, nëse këta profesionistë largohen, spitali mund të detyrohet të mbyllet.

Zgjedhjet e së dielës për këtë arsye po ndiqen me vëmendje përtej kufijve të Saksoni-Anhaltit. Një fitore që do t’i jepte AfD-së mundësinë për të marrë drejtimin e landit do të përbënte një moment të rëndësishëm për partinë dhe një zhvillim me pasoja më të gjera për politikën gjermane, veçanërisht për debatin mbi emigracionin dhe integrimin.