Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e ka cilësuar transformimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit si një histori suksesi, duke theksuar se ndryshimet nuk lidhen vetëm me teknologjinë, por edhe me mënyrën, cilësinë dhe shpejtësinë e ofrimit të shërbimeve.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Hoxha bëri të ditur se gjatë periudhës 2017-2026 janë administruar 1 milion e 378 mijë shërbime konsullore. Ndërkohë, nga viti 2019 deri në qershor 2026 janë administruar 4 milionë e 300 mijë legalizime, ndërsa që prej vitit 2021 janë regjistruar mbi 203 mijë aplikime për e-Visa.
Sipas ministrit, objektivi i radhës është thjeshtimi i mëtejshëm i procedurave dhe afrimi i shërbimeve me qytetarët, veçanërisht me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Një nga risitë që po përgatitet është krijimi i një Asistenti Virtual, i cili do të jetë i disponueshëm në çdo kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për t’i orientuar qytetarët drejt shërbimit që u nevojitet.
“Angazhimi ynë është ta përmirësojmë dhe mbi të gjitha të thjeshtojmë praktikat, duke e sjellë shërbimin sa më pranë qytetarit. Konkretisht, po punojmë për realizimin e një Asistenti Virtual, i cili nuk do të ketë orar, përgjigjet në çdo kohë e për çdo pyetje dhe kudo, dhe të orientojë kërkuesit drejt shërbimit”, deklaroi Hoxha.
Një tjetër ndryshim do të jetë vendosja e kodeve QR për shërbimet konsullore, përmes të cilave qytetarët do të mund të japin vlerësimin e tyre ose të paraqesin ankesa për shërbimin e marrë.
“Qytetari të mos jetë vetëm përfitues i shërbimit, por edhe vlerësues i tij. Me një fjalë, duam të dimë si po punojmë dhe si të përmirësohemi”, tha ministri.
Hoxha njoftoi gjithashtu se së shpejti do të krijohet “Prania Diplomatike Virtuale”, e konceptuar si një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore. Ajo do t’u shërbejë në veçanti qytetarëve që ndodhen në vende ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike fizike.
“Me një fjalë, duam të kalojmë nga praktika kur qytetari shkon tek shteti, tek ajo ku shteti shkon dhe është gjithnjë pranë qytetarit”, u shpreh Hoxha.
Drejtoresha e Çështjeve Konsullore në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Irida Laçi, bëri të ditur se aktualisht ofrohen online 32 shërbime konsullore. Për 22 prej tyre nuk kërkohet domosdoshmërisht prania fizike e qytetarit, ndërsa në rastet kur natyra e shërbimit e lejon, dokumentet mund të dërgohen edhe përmes postës.


