Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e zhvilluara në Shqipëri janë një tregues i rritjes së pritshmërive të qytetarëve dhe i një faze të re zhvillimi të vendit, duke theksuar se ato shkojnë përtej çështjeve konkrete që i kanë nxitur.
Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se protestat nuk lidhen vetëm me një temë specifike, por pasqyrojnë kërkesën e qytetarëve për standarde më të larta jetese dhe shërbime më cilësore.
“Protesta është diçka shumë më e madhe se vetë tema. Nuk janë vetëm flamingot. Është shumë më tepër se kaq. Është një sinjal se vendi ka kaluar në një nivel tjetër, se zhvillimi është bërë normal dhe se njerëzit nuk janë më të gatshëm të pranojnë atë që mungon”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, qytetarët janë bërë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj mangësive dhe kërkojnë ndryshime të menjëhershme.
“Njerëzit janë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj asaj që mungon. Ata duan më shumë dhe e duan tani. Nuk mund t’i fajësojmë për këtë. Ky është çmimi që paguajmë për suksesin tonë. Është një protestë ndaj pritshmërive në rritje dhe ne duhet të përballemi me të”, u shpreh ai.
Rama argumentoi se përmirësimi i standardeve të jetesës ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kërkesave të qytetarëve.
“Pavarësisht se si i quajnë këto protesta apo sa ashpër kritikohen, arsyeja është se njerëzit jetojnë më mirë. Dhe pikërisht për këtë ata duan shumë më tepër. Shoqëritë e varfra kanë një prag shumë të lartë tolerance ndaj asaj që u mungon, ndërsa shoqëritë e zhvilluara ose në zhvillim kanë një prag shumë më të ulët të asaj që është e pranueshme”, deklaroi ai.
Në fund, kryeministri theksoi se ndryshimi i mentalitetit është një pasojë e zhvillimit ekonomik, por paralajmëroi se zgjidhjet duhet të jenë të duhura.
“Njerëzit e varfër thonë: ‘Mund të ishte edhe më keq’. Ata që nuk janë më të varfër thonë: ‘Mund të ishte shumë më mirë’. Dhe kanë të drejtë. Mund të jetë shumë më mirë. Problemi i vetëm është të mos mbështetemi te recetat e gabuara, sepse atëherë situata mund të përkeqësohet shumë”, përfundoi Rama.


