×
Tuesday, June 23, 2026

Rama publikon videon e Goxhajt nga protesta: Kur të bien maskat, do të dalin fitues PS dhe Shqipëria

June 22, 2026


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, duke publikuar në rrjetet sociale një video ku ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, lexon kërkesat e protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në postimin e tij, Rama e lidhi përfshirjen e Goxhajt në protestë me pretendimet e tij të mëparshme për ndikime të huaja në organizimin dhe orientimin e lëvizjes protestuese. Kryeministri iu referua deklaratave të publikuara nga vetë Goxhaj në rrjetet sociale, ku ai ka shprehur qëndrime në mbështetje të regjimit iranian.

Sipas Ramës, prania e Goxhajt në një rol të tillë gjatë protestës përforcon argumentin e tij se pas lëvizjes qëndrojnë interesa që shkojnë përtej pretendimeve publike të organizatorëve.

“Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit ‘intelektual’ të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë…”, shkroi Rama në reagimin e tij në Facebook.

Kryeministri përsëriti akuzat e ngritura prej tij që në fillim të protestave, duke pretenduar se një pjesë e aktiviteteve dhe mesazheve të protestës janë të ndikuara nga interesa të lidhura me Iranin, një pretendim që organizatorët e protestës dhe përfaqësues të saj e kanë mohuar vazhdimisht.

Në vijim të reagimit, Rama deklaroi se me kalimin e kohës do të bëhen më të qarta, sipas tij, motivet reale dhe aktorët që qëndrojnë pas protestës.

“Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, shkroi ai.

Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur përplasjet politike rreth protestave janë intensifikuar, ndërsa mazhoranca dhe organizatorët e tyre vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi qëllimet, financimin dhe ndikimet që qëndrojnë pas lëvizjes protestuese.




Comments are closed.