Komisioni Europian shton stafin për zbatimin e rregullave të reja për Inteligjencën Artificiale

31 Jul 2026 14:20
Shpërndaje:

Komisioni Europian ka hapur një thirrje për punësime të reja me synim forcimin e njësive përgjegjëse për zbatimin e rregullave të reja të Bashkimit Europian për Inteligjencën Artificiale (AI).

Komisioni konfirmoi se po kërkon agjentë me kontratë për dy njësi të Zyrës së Inteligjencës Artificiale, e krijuar dy vite më parë në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme për Teknologjinë (DG Connect).

Njëra njësi është përgjegjëse për rregullimin dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit për AI, ndërsa tjetra mbikëqyr rreziqet që lidhen me modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, si sulmet kibernetike apo humbja e kontrollit mbi këto sisteme.

Reklamë Ola

Aktualisht, të dyja njësitë kanë së bashku 71 punonjës, ndërsa Komisioni pret të hapë rreth 40 vende të reja pune gjatë vitit 2027.

Duke nisur nga e diela, Zyra e Inteligjencës Artificiale do të marrë kompetenca të plota për të mbikëqyrur mënyrën se si kompanitë që zhvillojnë modelet më të avancuara të AI menaxhojnë rreziqet. Ajo do të ketë të drejtën të vendosë gjoba ndaj kompanive që shkelin rregullat, madje edhe të urdhërojë tërheqjen e modeleve nga tregu.

Reklamë InterMedika

Në prag të hyrjes në fuqi të këtyre kompetencave, ekspertë dhe politikëbërës europianë kanë shprehur shqetësime nëse Zyra e AI ka burime të mjaftueshme për të mbikëqyrur kompanitë kryesore të sektorit.

Profesori Yoshua Bengio, një nga pionierët më të njohur të inteligjencës artificiale, deklaroi se Zyra ka staf me nivel të lartë profesional, por jo në numër të mjaftueshëm për të përballuar sfidat që sjell zbatimi i rregullave të reja.