×
Sunday, June 21, 2026

Rama: “Pakënaqësia e pritshmërive” është sfida e një Shqipërie që po ndryshon, objektivi ynë mbetet BE 2030

June 20, 2026


Kryeministri Edi Rama komentoi sot disa prej shqetësimeve të ngritura gjatë protestës kundër investimit në Zvërnec, ndërsa theksoi se Partia Socialiste do të vazhdojë të qeverisë me fokus objektivin strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te koncepti që e quajti “pakënaqësia e pritshmërive”, duke e konsideruar atë si një nga sfidat kryesore të vendeve që kalojnë nga një fazë zhvillimi në një tjetër.

“Po ka një element tjetër që e tregon historia dhe që na e tregojnë ata që kanë menduar për si zhvillohet bota përpara se të vinte interneti e të tjerë. Ky element quhet pakënaqësia e pritshmërive”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, ky fenomen është karakteristik për shoqëritë që përjetojnë progres dhe rritje të standardeve të jetesës, pasi bashkë me përmirësimet rriten edhe kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve.

“Pakënaqësia e pritshmërive është shprehja më kuptimplotë e një vendi që ka dalë nga një fazë dhe ka hyrë në një fazë të re. E një vendi ku pritshmëritë janë shumë më të larta dhe ku pakënaqësia e pritshmërive është diçka jo e lehtë për t’u administruar”, tha ai.

Rama solli në vëmendje edhe disa prej treguesve ekonomikë që, sipas tij, dëshmojnë transformimin e vendit, duke veçuar numrin e bizneseve të reja të hapura gjatë këtij viti.

“Shqipëria sot është një vend ku, këtë vit, bizneset e vogla të hapura deri tani që flasim janë numri më i madh i bizneseve të reja të krijuara në të njëjtën periudhë në vitet e mëparshme”, u shpreh kryeministri.

Duke iu referuar protestës dhe debatit publik të javëve të fundit, Rama tha se qeveria do të vazhdojë të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, por nuk do të devijojë nga prioritetet strategjike të vendit.

“Planet tona janë në tryezë”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë riafirmoi se integrimi europian mbetet projekti më i rëndësishëm kombëtar dhe objektivi kryesor i mazhorancës.

“Karta e BE-së është karta e historisë së Shqipërisë dhe karta e BE-së ka brenda të gjitha gjërat për të cilat flasin edhe ata që janë aty në protestë për arsye gjenuine”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Partia Socialiste nuk është në garë për popullaritet të momentit, por për realizimin e objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ne jemi këtu për të fituar Shqipërinë 2030 në BE”, deklaroi Rama.




Comments are closed.