Pas takimeve dyditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama do të mbledhë sërish ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe.
Mbledhja mësohet se do të zhvillohet të premten, në orën 17:30, në selinë e Partisë Socialiste dhe vjen vetëm pak ditë pas diskutimeve me dyer të mbyllura në Pogradec.
Në fokus të takimeve të fundit ka qenë qasja e re që qeveria dhe Partia Socialiste synojnë të ndjekin ndaj problematikave të qytetarëve. Rama ka kërkuar që shqetësimet e tyre të vendosen në krye të axhendës së institucioneve.
Ministrave u është kërkuar që çdo muaj të ndjekin nga afër performancën e drejtorive dhe institucioneve në varësi, ndërsa drejtuesit politikë të qarqeve duhet të shtojnë praninë në terren dhe kontaktet me qytetarët.
Qasja e re është përmbledhur edhe në dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të prezantuara gjatë diskutimeve të zhvilluara nga socialistët.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimeve në Pogradec ishte platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të krijojë një mekanizëm të ri për regjistrimin dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve.
Sipas modelit të prezantuar, qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre, ndërsa synimi është që problematikat e raportuara të marrin zgjidhje brenda një afati deri në dy javë.
Platforma parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, ku do të grumbullohen ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve, dhe “Radar”, që do të gjurmojë mënyrën se si ato trajtohen nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Gjatë mbledhjes së qeverisë në Pogradec, ministrat bënë gjithashtu një analizë të punës së deritanishme dhe prezantuan prioritetet për sektorët që drejtojnë.


