Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër performancën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i cilësuar dy institucionet si “fytyra e dështimit të reformës në drejtësi”.
Gjatë mbledhjes me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama bëri një dallim mes institucioneve të reja të drejtësisë, duke përmendur SPAK-un dhe GJKKO-në si shembuj të suksesit, ndërsa për KLP-në dhe KLGJ-në shprehu kritika të forta.
“KLP dhe KLGJ, dy struktura që janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK dhe GJKKO apo disa të tjera janë fytyra e suksesit, KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit”, deklaroi Rama.
Kryeministri ngriti pikëpyetje edhe për mënyrën e qeverisjes së sistemit gjyqësor nga këto institucione. Sipas tij, pavarësisht se KLP dhe KLGJ janë struktura të krijuara për qeverisjen e sistemit të drejtësisë, ndikimi i praktikave të vjetra dhe i personave “mbrapa perdeve” vazhdon të jetë i pranishëm.
Rama u ndal gjithashtu te çështja e pagave, duke deklaruar se ankesat për nivelin e tyre nga strukturat e drejtësisë duhet të shihen në raport me pagat e punonjësve të tjerë të administratës publike.
“Kur është e pamjaftueshme për KLP dhe KLGJ paga, përfytyroni për të tjerët”, tha Rama, duke shtuar se pagat në këto institucione janë disa herë më të larta se ato të shumë funksionarëve dhe punonjësve të tjerë shtetërorë.
Kreu i qeverisë e lidhi këtë çështje edhe me problematikat e administratës publike, ku, sipas tij, përveç pagave, një shqetësim i rëndësishëm mbetet mungesa e ndëshkimit për performancën negative.
Ai theksoi se në administratë ka një numër të madh profesionistësh që kanë treguar aftësitë e tyre edhe gjatë procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Ramës, rreth një mijë punonjës të administratës shqiptare kanë “shkëlqyer” në përfaqësimin e vendit në Bruksel, gjatë procesit të diagnostikimit dhe evidentimit të problematikave që Shqipëria duhet të adresojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kryeministri argumentoi se ky rezultat tregon se administrata ka kapacitete profesionale, ndërsa sfida mbetet krijimi i një sistemi ku performanca pozitive të vlerësohet dhe ajo negative të ketë pasoja.


