Presidenti Bajram Begaj ka pritur në takim ambasadoren e re të Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Dr. Siri Walt, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale.
Kreu i Shtetit i përcolli ambasadores urimet për fillimin e detyrës së saj në Shqipëri dhe shprehu besimin se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Zvicrës, të mbështetura në vlerat e përbashkëta europiane, dialogun politik dhe bashkëpunimin në një sërë sektorësh.
Në fokus ishin veçanërisht bashkëpunimi në fushën e qeverisjes, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe formimit profesional, shëndetësisë, qeverisjes vendore dhe mbrojtjes së mjedisit.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë në proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social, si dhe për kontributin në forcimin e institucioneve dhe të qeverisjes vendore përmes programeve të bashkëpunimit dhe asistencës teknike.
Kreu i Shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë investimet e qeverisë zvicerane në zonat rurale, duke theksuar ndikimin e tyre në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe zhvillimin e turizmit.
“Ne kemi njerëz dhe një natyrë të mrekullueshme. Investimet në këto zona në rritjen e cilësisë së jetesës janë një investim që bëjmë për brezat e rinj. Gjithashtu, ruajtja e trendit pozitiv që Shqipëria ka në turizëm ndihmohet shumë nga këto investime”, u shpreh Begaj.
Presidenti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke mirëpritur rritjen e investimeve dhe një prani më të madhe të bizneseve zvicerane në Shqipëri.
Në takim u diskutua edhe për rolin e diasporës shqiptare në Zvicër, e cila u vlerësua si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.


