Finlanda zhvillon stërvitjen më të madhe të mbrojtjes civile që nga Lufta e Dytë Botërore

03 Sep 2026 13:40
Shpërndaje:

Më shumë se 2 mijë vullnetarë dhe studentë po marrin pjesë në Finlandë në stërvitjen më të madhe të mbrojtjes civile të organizuar në vend që nga Lufta e Dytë Botërore, në një kohë kur autoritetet po rrisin përgatitjet për përballimin e krizave të mundshme.

Stërvitja po zhvillohet në qytetin Kuopio dhe synon të testojë reagimin e autoriteteve dhe qytetarëve në rast të një situate të rëndë emergjente.

Skenarët e përfshirë në ushtrim parashikojnë sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe kërcënimin e sulmeve me raketa nga Rusia.

Reklamë Ola

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit lidhet me përdorimin e strehimoreve nëntokësore. Në Kuopio, një prej këtyre strukturave, me kapacitet për të strehuar deri në 7 mijë persona, është përshtatur për pritjen e qytetarëve gjatë ushtrimit.

Autoritetet synojnë gjithashtu që qytetarët të jenë të përgatitur për të përballuar vetë të paktën 72 orët e para të një situate të jashtëzakonshme, në rast se ndërpritet energjia elektrike, uji apo shërbime të tjera thelbësore.

Reklamë InterMedika

Në stërvitje janë përfshirë edhe fëmijë dhe nxënës, të cilët mësojnë mënyrën se si duhet të reagojnë dhe të mbrohen në rast emergjence. Autoritetet finlandeze theksojnë se siguria kombëtare nuk mbështetet vetëm te kapacitetet e forcave të armatosura, por edhe te gatishmëria e popullsisë për t’u përballur me kriza.

Finlanda ndan një kufi prej më shumë se 1,300 kilometrash me Rusinë, ndërsa lufta në Ukrainë ka nxitur Helsinkin të intensifikojë përgatitjet civile dhe ushtarake dhe të forcojë aftësinë e vendit për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme.

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet finlandeze kanë raportuar gjithashtu një rritje të incidenteve kibernetike dhe rasteve të dyshimta pranë infrastrukturës energjetike. Megjithatë, jo të gjitha këto incidente janë lidhur me Rusinë.