Polonia kërkon kufizime më të ashpra për diplomatët dhe qytetarët rusë në BE

03 Sep 2026 16:21
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski ka kërkuar vendosjen e kufizimeve më të forta ndaj diplomatëve dhe qytetarëve rusë që udhëtojnë brenda Bashkimit Europian, duke argumentuar se vala e fundit e sulmeve hibride të lidhura nga autoritetet europiane me Moskën përbën një kërcënim në rritje për sigurinë e bllokut.

“Rusia, në fund të fundit, po përpiqet të shkatërrojë BE-në nga brenda dhe nuk duhet të lejohet të përfitojë nga privilegjet e lëvizjes së lirë”, deklaroi Sikorski pas një takimi të përbashkët me homologët e tij gjerman dhe francez në qytetin Weimar të Gjermanisë.

Deklaratat e tij vijnë pasi qeveria gjermane ia atribuoi Rusisë incidentin me dronë të ngarkuar me eksplozivë në Leipzig dhe njoftoi një sërë masash diplomatike kundër Moskës, duke sinjalizuar një ashpërsim të qëndrimit të Berlinit.

Reklamë Ola

Sikorski propozoi që diplomatëve rusë t’u kufizohet lëvizja vetëm në vendet ku janë të akredituar. Ai kërkoi gjithashtu kufizimin e vizave Schengen për qytetarët rusë, vendosjen e dokumenteve biometrike për rusët që hyjnë në BE dhe reduktimin e numrit të diplomatëve rusë që shërbejnë në vendet e bllokut.

“Ne kemi ende shumë diplomatë rusë në të gjithë Bashkimin Europian. Vlerësojmë se janë mbi 2 mijë dhe se të paktën 40% e tyre kryejnë detyra që nuk përputhen me statusin e tyre diplomatik”, deklaroi ministri polak.

Reklamë InterMedika

Sipas Sikorskit, një pjesë e këtyre personave punojnë për agjenci që ai i akuzoi se janë të përfshira edhe në aktivitete terroriste në vendet europiane. Për këtë arsye, ai kërkoi që BE-ja, në solidaritet me Gjermaninë, të vendosë masa shtesë për mbrojtjen e qytetarëve.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot sinjalizoi gatishmërinë e Parisit për masa të mëtejshme, duke deklaruar se Franca është e përgatitur të mbështesë hapa shtesë “nëse rrethanat e kërkojnë”.

Thirrjet vijnë ndërsa disa vende europiane, veçanërisht Gjermania, po hetojnë një seri incidentesh të dyshuara si sabotime. Vetëm këtë javë janë regjistruar dy sulme ndaj objekteve energjetike në zona të ndryshme të Gjermanisë dhe një tjetër ndaj një kompanie të industrisë së mbrojtjes.

Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende përgjegjësinë për këto incidente dhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul nuk konfirmoi nëse Rusia dyshohet se qëndron pas zjarrvënies ndaj kompanisë së mbrojtjes në Mynih.

“Nuk mund të them shumë publikisht për këtë. Siguria e Gjermanisë dhe siguria e aleatëve tanë kanë përparësi”, deklaroi Wadephul.

Ai theksoi se autoritetet gjermane kanë kapacitetet për të hetuar incidente të tilla dhe për t’iu përgjigjur atyre, duke përmendur rastin e Leipzigut si shembull të aftësisë së Berlinit për të identifikuar dhe reaguar ndaj kërcënimeve të dyshuara hibride.