Financat sqarojnë pagat e magjistratëve: Nuk janë bllokuar, KLGJ dhe KLP të ribëjnë listëpagesat

03 Sep 2026 13:38
Shpërndaje:

Ministria e Financave ka reaguar lidhur me kërkesën për zhbllokimin e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke sqaruar se pagesat nuk janë bllokuar, por listëpagesat e muajit gusht janë paraqitur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë sipas një metodologjie të ndryshme nga ajo aktualisht në fuqi.

Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka kërkuar që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet për muajin gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik.

Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve nuk janë miratuar ende nga Kuvendi dhe, për këtë arsye, strukturat e Thesarit nuk mund të ekzekutojnë pagesa të përllogaritura sipas formulës së re.

Reklamë Ola

Malaj thekson se vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshimet përkatëse ligjore, miratimi i të cilave i takon Kuvendit.

“Ministria e Financave as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”, deklaroi Malaj.

Reklamë InterMedika

Në këtë situatë, ministri u ka kërkuar dy institucioneve të drejtësisë të ridërgojnë pa vonesë listëpagesat e gushtit sipas parametrave që ishin në fuqi dhe që u përdorën për pagat e muajit korrik.

“Sapo strukturat e Thesarit të disponojnë listëpagesat sipas parametrave në fuqi, ato do të procedojnë me përparësi dhe do të kryejnë pa vonesë pagesat”, u shpreh ministri.

Ministria e Financave ka bërë të ditur gjithashtu se, nëse Kuvendi miraton ndryshimet e kërkuara për pagat e magjistratëve, institucioni do të marrë menjëherë masat për zbatimin e plotë të tyre.

Përplasja për pagat nisi pasi më 26 gusht KLGJ dhe dy ditë më vonë KLP përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke parashikuar një rritje të konsiderueshme.

Dy institucionet argumentuan se ndërmorën këtë hap pasi Kuvendi nuk kishte miratuar brenda 31 korrikut formulën e re të pagave, pavarësisht detyrimit që, sipas tyre, buronte nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.