Përçarja brenda partisë nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) po ndryshon peizazhin politik në Poloni dhe po forcon partitë e ekstremit të djathtë që kundërshtojnë anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, një zhvillim që mund të ndikojë në formimin e qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.
Sipas një analize të POLITICO, kriza shpërtheu javën e kaluar, kur lideri historik i PiS, Jarosław Kaczyński, përjashtoi nga partia ish-kryeministrin Mateusz Morawiecki dhe rreth 45 deputetë që refuzuan të shkëputeshin nga fraksioni i tij.
Konflikti pasqyron përplasjen mes dy vizioneve për të ardhmen e partisë. Morawiecki argumentonte se PiS duhej të zbusë retorikën ndaj Brukselit dhe të zgjerojë bazën elektorale, ndërsa Kaczyński ka zgjedhur të rikthejë votuesit që janë larguar drejt partive më radikale të djathta.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se kjo strategji nuk po jep rezultatet e pritura. Sipas Poll of Polls të POLITICO, mbështetja për PiS ka rënë nga 26 në 22 për qind pas ndarjes, ndërsa Koalicioni Qytetar i kryeministrit Donald Tusk kryeson me rreth 32 për qind.
Pavarësisht rënies së PiS, kampi i djathtë mbetet një forcë e rëndësishme. Mbështetja e humbur nga partia e Kaczyńskit po zhvendoset kryesisht drejt Konfederacja dhe lëvizjes Federata e Kurorës Polake, të cilat mbajnë qëndrime edhe më të ashpra ndaj Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.
Konfederacja ka bërë të qartë se çdo bashkëpunim për krijimin e një qeverie të djathtë do të kushtëzohet me refuzimin e çdo transferimi të mëtejshëm të kompetencave drejt BE-së, kundërshtimin e politikave klimatike evropiane dhe një qëndrim të prerë kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
“Prej vitesh një votues i djathtë në Poloni nuk kishte alternativë. Sot ajo alternativë ekziston. Ligj dhe Drejtësi po humbet hegjemoninë e saj në të djathtën polake”, deklaroi eurodeputetja Anna Bryłka, nënkryetare e Konfederacja.
Nga ana tjetër, kampi i Morawieckit ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me kryeministrin Donald Tusk, duke e konsideruar koalicionin qeverisës kundërshtarin e tij kryesor.
Analiza vëren se një figurë që mund të bashkojë kampin konservator është presidenti Karol Nawrocki, i cili u zgjodh vitin e kaluar me mbështetjen e votuesve të PiS dhe Konfederacja. Brenda qarqeve politike në Varshavë po qarkullon ideja e një liste të përbashkët të së djathtës nën patronazhin e tij.
Edhe Kaczyński ka shprehur gatishmëri për bashkimin e forcave të djathta në një listë të vetme zgjedhore, me kusht që Konfederacja të zbusë qëndrimin e saj ndaj PiS. Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Grzegorz Braun.
Sipas sondazheve të fundit, mbështetja totale për partitë e djathta nuk është ulur pas ndarjes së PiS, por është rritur lehtësisht, nga 47.5 në 47.9 për qind. Kjo tregon se votuesit që largohen nga PiS po orientohen drejt forcave të tjera të djathta dhe jo drejt koalicionit të Donald Tusk.
Në të njëjtën kohë, edhe koalicioni qeverisës po përballet me vështirësi, pasi vetëm partia e majtë arrin vazhdimisht pragun elektoral në sondazhe.
Sipas POLITICO, një nga skenarët që mund të favorizojë Tusk është shpërndarja e votave mes partive të djathta. Nëse lëvizja e Morawieckit kandidon më vete dhe nuk kalon pragun 5 për qind për të hyrë në parlament, votat e saj do të humbnin, duke dobësuar kampin konservator në zgjedhjet e vitit 2027.


