×
Wednesday, December 11, 2024

Prania mediatike e drejtuesve të shtetit si nevojë për sigurinë publike

April 1, 2020


Nga: Denar Biba

Ka në rrjetet sociale një farë kriticizmi, sa nga pozita keqdashëse aq edhe dashamirëse, për faktin se Kryeministri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës apo drejtues të tjerë të lartë të shtetit shfaqen pothuajse përditë në ekranet e TV-ve tona, duke dhënë këshilla, duke inspektuar respektimin e distancimit social nëpër rrugë a tregje, apo duke shkuar në shtëpitë e individëve në nevojë për të ndihmuar me ushqime.

Personalisht – besoj për shkak të formimit profesional dhe mentalitetit etatist – pasojat e një pandemie si kjo, të paprovuar ndonjëherë, përveçse në planin shëndetësor dhe ekonomik, kam tendencë t’i shoh edhe nga këndvështrimi i sigurimit të qetësisë sociale e ruajtjes së rendit shoqëror. Nga ky këndvështrim, i cili nuk mund dhe nuk duhet neglizhuar, prania e autoriteteve shtetërore në terrenin virtual dhe atë real shërben edhe si “qetësues” mendor për turmat, të cilat nga ana e tyre kanë prirje të bien lehtësisht pre e panikut për shkak të informacioneve të pavërteta, mungesave të përkohshme të ushqimeve e të tjera rrethana të ngjashme me këto, me pasojë ndërmarrjen e sjelljeve të çartura. Bashkë me forcat e rendit, prania e përfaqësuesve të tjerë të shtetit mban të zënë atë hapësirë që, përndryshe, mund të zaptohet në analizë të fundit nga mashtrues, individë që duan të përfitojnë në mënyrë të paskrupullt, kriminaliteti ordiner (dhe individët vigjilantë) apo lëvizjet anarkike.

Përtej ironisë së pavend për “shembullin personal të udhëheqësit në luftë”, mendoj se do të ishte edhe hipokrite nga ana e këtyre funksionarëve publikë të kërkojnë nga nëpunësit e tjerë të shtetit të niveleve më të ulta të ndërmarrin veprime të cilat ata vetë do të ngurronin t’i bënin, nga frika se mos infektoheshin prej virusit. Fundja, lidershipi më shumë se kurdo demonstrohet në situata fatkeqësie si kjo që po jetojmë.

Sidoqoftë, ky shënim ka për qëllim të tërheqë vëmendjen te nevoja e qytetarit të zakonshëm që, në situata si kjo, të shohë sesi përfaqësuesit e shtetit përkujdesen për të, si një rrethanë për mbarëvajtjen e sigurisë publike. Me gjithë riskun jo të vogël që kjo prani mediatike e shtuar mund të japë si efekt anësor lodhjen e imazhit të këtyre funksionarëve (posaçërisht) në sytë e elitarëve të nginjur, skeptikë për definicion që vetëm japin ide nga kolltuku i shtëpisë, fshehur pas tastierave të dezinfektuara të celularëve smart, gjykoj se për sytë e shumicës së qytetarëve të thjeshtë kjo është nevojë funksionale. Veçanërisht në shoqëri ende problematike si kjo e jona, ndonëse fenomeni në fjalë po evidentohet gjithandej, edhe në shtete të tjera, me kulturë perëndimore. Nëse nuk e gjejmë me të njëjtin intensitet, kjo përpara së gjithash shpjegohet sa me nivelin më të ulët të nevojave të tyre ekonomike, nivelin më të lartë të kulturës së tyre civike, aq edhe me praninë në terren të strukturave të tjera si religjioni apo shoqëria civile, që në Shqipëri mungojnë ose janë efemere.

Nga ana tjetër, përsa kohë që vendimmarrja dhe sjellja e autoriteteve publike në Shqipëri po funksionon, s’më mbetet veçse të perifrazoj lirisht Shekspirin kur shkruan se, çdo gjë që përfundon mirë, është e mirë.

Natyrisht, gjykuesi përfundimtar mbetet koha.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments