Ferit Hoxha prezanton prioritetet e diplomacisë shqiptare: Anëtarësimi në BE, objektivi ynë parësor

25 Aug 2026 16:36
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë të ditura prioritetet kryesore të diplomacisë shqiptare për muajt e ardhshëm, pas seminarit të qeverisë të zhvilluar në Pogradec.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha tha se takimi i kabinetit shërbeu për të analizuar në detaje punën e deritanishme dhe për të përcaktuar objektivat deri në fund të vitit, përfshirë ato në fushën e politikës së jashtme.

Në krye të prioriteteve mbetet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për të cilin ministri kërkoi intensifikim të angazhimit diplomatik.

Reklamë Ola

“Vijimësia e suksesshme e procesit të anëtarësimit në BE mbetet objektivi ynë parësor dhe do të kërkojë ritëm të shtuar, fokus të qartë dhe angazhim të plotë diplomatik”, deklaroi Hoxha.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm do të jetë forcimi i bashkëpunimit rajonal. Sipas ministrit, Shqipëria synon të kontribuojë për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, më të ndërlidhur dhe më pranë Evropës.

Reklamë InterMedika

Në fokus do të jetë gjithashtu modernizimi dhe thjeshtimi i shërbimeve konsullore, me synimin që ato të bëhen më të shpejta, më të aksesueshme dhe më të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.

Hoxha paralajmëroi edhe vijimin e reformimit të Shërbimit të Jashtëm, duke synuar krijimin e një diplomacie moderne, profesionale dhe meritokratike. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një korpus diplomatik të aftë për të përfaqësuar denjësisht vendin, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të krijuar më shumë vlerë për vendin.

Mes objektivave të renditura janë edhe forcimi i imazhit të Shqipërisë dhe promovimi i saj kulturor e shoqëror, lidhja më e fortë e diplomacisë me ekonominë dhe tregtinë, krijimi i partneriteteve dhe mundësive të reja, si dhe sigurimi i rezultateve konkrete për qytetarët shqiptarë.

“Një Shqipëri europiane kërkon edhe një diplomaci europiane”, përfundoi Hoxha.