Polonia tërhiqet nga Konventa e Stambollit për të drejtat e grave



Këshilli i Europës është i alarmuar: Ministri i Drejtësisë i Polonisë dëshiron që vendi i tij të tërhiqet nga një marrëveshje ndërkombëtare për të luftuar dhunën ndaj grave.
Konventa e Stambollit e Këshillit të Evropës përmban dispozita të një “natyre ideologjike”, të cilat ai nuk mund t’i pranojë dhe i konsideron të dëmshme, tha ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro. Prandaj ai do t’i propozojë Ministrisë së Familjes, e cila është përgjegjëse për këtë marrëveshje që Polonia të tërhiqet prej saj. Ziobro është themeluesi i partisë nacional-konservatore “Polonia Solidare” (PS), një fraksion i partisë “Ligji dhe Drejtësia” (PiS) të kryeministrit Mateusz Morawiecki.
Protesta në Varshavë kundër tërheqes së Polonsë nga marrëveshja për të drejtat e grave
Konventa e Stambollit u nënshkrua në vitin 2012 nga qeveria e atëhershme e moderuar polake dhe u ratifikua në vitin 2015. Marrëveshja i detyron shtetet nënshkruese që t’i klasifikojnë si krime çdo formë dhune ndaj grave dhe vajzave si dhe të gjitha format e dhunës në familje dhe të luftojnë kundër diskriminimit ndaj grave. Disa vende të BE-së si Hungaria dhe Sllovakia nuk e kanë ratifikuar as deri më sot konventën.
“Hap i madh mbrapa”
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric, reagoi “e alarmuar” nga njoftimi i ministrit polak të Drejtësisë, Ziobros. Tërheqja e Polonisë nga konventa do të ishte “një hap i madh mbrapa për mbrojtjen e grave kundër dhunës në Evropë”. Nëse ka keqkuptime në lidhje me konventën, jemi gati t’i sqarojmë ato përmes një dialogu konstruktiv, tha Marija Pejcinovic Buric.
Marija Pejcinovic Buric
Deputetë kryesorë të Parlamentit Evropian e dënuan gjithashtu këtë veprim. Kryetarja e grupit socialist, Iratxe García Pérez nga Spanja u shpreh për një vendim “të turpshëm”. Kryetari i grupit liberal “Renew Europe”, ish-kryeministri rumun Dacian Ciolos, e kritikoi njoftimin si “një hap mjeran disa anëtarësh të qeverisë polake” që duan të demonstrojnë konservatorizmin e tyre “.

