Zëvendëskryeministri i Polonisë dhe ministri i Çështjeve Digjitale, Krzysztof Gawkowski, i ka kërkuar Komisionit Evropian të gjobisë Meta-n me 250 milionë euro, duke e akuzuar kompaninë se nuk po merr masa të mjaftueshme kundër mashtrimeve dhe reklamave të rreme në Facebook dhe Instagram.
Në një letër të datës 26 gusht, drejtuar shefes së teknologjisë së BE-së, Henna Virkkunen, Gawkowski kërkon gjithashtu hapjen e një hetimi ndaj kompanisë për shkelje të mundshme të Aktit të Shërbimeve Digjitale, DSA.
Sipas zëvendëskryeministrit polak, numri i rasteve të mashtrimeve dhe reklamave të rreme të raportuara në platformat e Meta-s tregon se fenomeni nuk është periferik, por përbën “një nga format më të mëdha dhe më të vazhdueshme të abuzimit brenda ekosistemit Meta”.
Autoritetet polake dhe ekipet e sigurisë kibernetike e kanë njoftuar disa herë kompaninë për reklama të dyshuara si mashtruese, por sipas Gawkowskit, reagimi i Meta-s vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.
Ai solli si shembull të dhënat e një ekipi të sigurisë kibernetike pranë Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Polonisë. Nga 122 reklama të raportuara te Meta si mashtruese, vetëm 13% janë hequr.
Gawkowski iu referua gjithashtu një ankese të organizatës evropiane të konsumatorëve BEUC, sipas së cilës, në 13 vende të analizuara, vetëm 27% e reklamave mashtruese të raportuara janë hequr nga Google, Meta dhe TikTok.
Komisioni Evropian është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e platformave shumë të mëdha online sipas DSA-së. Megjithatë, deri tani nuk ka hapur hetime specifike mbi mënyrën se si këto platforma trajtojnë mashtrimet financiare dhe nuk ka vendosur gjoba ndaj kompanive të mediave sociale për mangësi të tilla në mbrojtjen e përdoruesve.
Në shtator të vitit 2025, Komisioni u kishte kërkuar informacion Apple, Booking.com, Google dhe Microsoft mbi masat që marrin kundër mashtrimeve në platformat e tyre.
Gawkowski kërkon që Meta të hetohet për shkelje të mundshme të gjashtë neneve të DSA-së, që lidhen ndër të tjera me vlerësimin dhe reduktimin e rreziqeve, transparencën e reklamuesve dhe mekanizmat për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme.
Përveç gjobës prej 250 milionë eurosh, Polonia kërkon që Meta të detyrohet të marrë masa shtesë për të parandaluar dhe larguar reklamat mashtruese nga platformat e saj.
Komisioni Evropian dhe Meta nuk iu përgjigjën kërkesës së POLITICO për koment.


