Lamallari mesazh drejtuesve të Policisë: Etika është minimumi, qytetarët meritojnë shërbim cilësor dhe të shpejtë

28 Aug 2026 15:30
Shpërndaje:

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare, me fokus rritjen e standardeve të shërbimit dhe forcimin e besimit të qytetarëve te policia.

Gjatë takimit, Lamallari kërkoi që çdo strukturë policore, pavarësisht nivelit ku operon, ta vendosë qytetarin në qendër të punës së saj, duke garantuar një shërbim profesional, etik, të shpejtë dhe në përputhje të plotë me ligjin.

“Perceptimi dhe besimi i qytetarëve ndërtohen çdo ditë, mbi bazën e profesionalizmit, etikës dhe mënyrës se si Policia u përgjigjet ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre për informacion”, deklaroi ministri.

Reklamë Ola

Sipas Lamallarit, mënyra se si punonjësit e Policisë komunikojnë dhe reagojnë ndaj qytetarëve ndikon drejtpërdrejt në besimin ndaj institucionit. Për këtë arsye, ai kërkoi që etika të mos konsiderohet si një standard i jashtëzakonshëm, por si kërkesa minimale që duhet të përmbushë çdo punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës.

“Etika është minimumi. Shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”, theksoi Lamallari.

Reklamë InterMedika

Drejtuesve vendorë iu kërkua që këto standarde të reflektohen në punën e përditshme të strukturave që drejtojnë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të drejtë ndaj çdo ankese, shqetësimi apo kërkese për informacion.

Ministri kërkoi gjithashtu vëmendje të shtuar ndaj komunikimit me publikun, duke nënvizuar se çdo kontakt mes një qytetari dhe Policisë duhet të konsiderohet si një mundësi për të forcuar besimin tek institucioni.

Sipas tij, profesionalizmi, respektimi rigoroz i ligjit dhe përmirësimi i marrëdhënies me qytetarët janë elementë thelbësorë për ndërtimin e një Policie të Shtetit më të përgjegjshme, më të besueshme dhe më pranë komunitetit.