Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, në një kohë kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë janë përkeqësuar ndjeshëm.
“Do ta ndryshojmë emrin e Liqenit Ontario, me efekt të menjëhershëm, në Liqeni Amerika”, deklaroi Trump në Zyrën Ovale, përpara nënshkrimit të urdhrit.
Vendimi vjen pas dështimit të negociatave tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës dhe vendosjes së tarifave të reja amerikane ndaj mallrave kanadeze. Kanadaja është kundërpërgjigjur me masa tarifore ndaj produkteve amerikane.
Urdhri ekzekutiv udhëzon sekretarin amerikan të Brendshëm, Doug Burgum, dhe Departamentin e Brendshëm që të përditësojnë Sistemin e Informacionit për Emrat Gjeografikë për të reflektuar emërtimin e ri.
Pavarësisht tensioneve me Otavën, Trump mohoi se vendimi synon t’i dërgojë një mesazh politik Kanadasë.
“Asnjë mesazh”, u përgjigj presidenti amerikan kur u pyet se çfarë sinjali i dërgonte vendit fqinj përmes riemërtimit.
Trump e krahasoi vendimin me ndryshimin e mëparshëm të emërtimit të Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”.
“Siç e dini, morëm diçka të quajtur Gjiri i Meksikës dhe ia ndryshuam emrin, ndërsa tani zakonisht quhet Gjiri i Amerikës”, tha ai.
Presidenti amerikan bëri më pas edhe një koment për oqeanet Atlantik dhe Paqësor.
“Gjithçka që na duhet është një oqean. Kështu që ndoshta do të duhet t’ia ndryshojmë emrin Atlantikut ose Paqësorit. Ndoshta do t’ua ndryshojmë emrin të dyve”, deklaroi Trump.


