Trump: Xi Jinping vjen në SHBA më 24 shtator, dua një pritje madhështore në Shtëpinë e Bardhë

18 Aug 2026 09:14
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti kinez Xi Jinping pritet të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara më 24 shtator, ndërsa shprehu dëshirën për t’i rezervuar një pritje madhështore në Shtëpinë e Bardhë.

Trump tha se do të dëshironte të organizonte një event me rreth 3 mijë të ftuar, por sipas tij kjo aktualisht nuk është e mundur për shkak të çështjeve ligjore që lidhen me projektin e sallës së re të pritjeve në kompleksin presidencial.

Presidenti amerikan iu referua projektit të zgjerimit të Shtëpisë së Bardhë me një sallë të madhe për evente zyrtare. Projekti është përballur me kundërshtime dhe sfida ligjore lidhur me ndërtimin dhe ndërhyrjet në kompleksin historik.

Reklamë Ola

Trump tha se një hapësirë e tillë do t’i mundësonte presidencës amerikane të organizonte pritje shumë më të mëdha për liderët botërorë dhe për evente të rëndësishme shtetërore.

Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale në nderim të Ryder Williams, një 16-vjeçari që shpëtoi nga deti në Kaliforni një fëmijë 10-vjeçar.

Reklamë InterMedika

Gjatë ceremonisë, Trump foli gjithashtu për gjendjen e godinës presidenciale dhe nevojën, sipas tij, për investime të mëtejshme.

“Shtëpia e Bardhë po bie copë-copë”, u shpreh Trump, duke e përdorur këtë argument për të mbrojtur ndërhyrjet dhe projektet e reja në kompleks.

Vizita e paralajmëruar e Xi Jinping do të vendoste sërish në qendër të vëmendjes marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës, të cilat vijojnë të përballen me mosmarrëveshje në një sërë çështjesh ekonomike dhe gjeopolitike.