Përshkallëzohen tensionet Spanjë-Marok, Rabati rikthen pretendimet për Ceutën dhe Melillan

27 Aug 2026 13:15
Shpërndaje:

Tensionet mes Spanjës dhe Marokut po rriten pas valës së emigrantëve që mbërritën këtë verë në Ceuta dhe deklaratave të fundit të zyrtarëve marokenë për dy qytetet autonome spanjolle në Afrikën e Veriut.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kishte shpresuar në qetësimin e situatës pas mbërritjes së më shumë se 70 mijë emigrantëve në Ceuta, por deklaratat e bëra këtë javë në Rabat kanë rikthyer përplasjen mes dy vendeve.

Gjatë një ceremonie fetare në pallatin mbretëror, në praninë e mbretit Mohammed VI, ministri maroken i Çështjeve Islame, Ahmed Toufiq, iu referua një imami të shekullit XV si simbol për marokenët “për të çliruar qytetet e pushtuara”. Deklarata u interpretua në Spanjë si një referencë ndaj Ceutës dhe Melillës, dy territore spanjolle në brigjet e Afrikës së Veriut ku jetojnë rreth 170 mijë banorë, kryesisht shtetas spanjollë.

Reklamë Ola

Vetëm një javë më parë, Ministria e Jashtme spanjolle kishte reaguar ndaj ministrit maroken të Drejtësisë, Abdellatif Ouahbi, i cili kërkoi që Madridi dhe Rabati të diskutonin të ardhmen e Ceutës dhe Melillës, duke pretenduar se Maroku ka një të drejtë historike dhe gjeografike mbi to.

Për Sánchez, përplasja vjen në një moment delikat, ndërsa Spanja po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe qeveria e tij socialiste po përballet edhe me skandale korrupsioni. Madridi kërkon të shmangë një krizë të hapur me Rabatin, pasi Maroku është një partner i rëndësishëm për kontrollin e migracionit, tregtinë dhe luftën kundër trafikut të drogës.

Reklamë InterMedika

Sánchez ka shmangur deri tani akuzat e drejtpërdrejta ndaj autoriteteve marokene për krizën migratore në Ceuta, duke fajësuar rrjetet e kontrabandistëve dhe fushatat dezinformuese në rrjetet sociale. Ministrja e Migracionit, Elma Saiz, e ka cilësuar madje Marokun si një “partner të besueshëm dhe besnik”.

Por kjo qasje po kritikohet ashpër nga opozita. Kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, deklaroi se Sánchez po sillet “më shumë si një subjekt i Marokut sesa si kryeministër i Spanjës”, duke shtuar se vendi nuk mund t’i nënshtrohet “shantazhit dhe kërcënimeve”.

Edhe më i ashpër ishte kreu i Vox, Santiago Abascal, i cili e cilësoi krizën në Ceuta si “një akt lufte të promovuar nga Maroku”. Kritika kanë ardhur edhe nga e majta, me Podemos që ka akuzuar Rabatin për një “akt armiqësor të luftës hibride”.

Sumar, partneri më i vogël në koalicionin qeverisës të Sánchez, ka kërkuar madje që Marokut t’i hiqet statusi i bashkëorganizatorit të Kupës së Botës 2030 me Spanjën dhe Portugalinë, për shkak të rolit të dyshuar në krizën e Ceutës.

Në Spanjë po diskutohet gjithashtu ndikimi i marrëdhënieve të afërta të mbretit Mohammed VI me presidentin amerikan Donald Trump dhe Izraelin. Kryeministri Sánchez ka pasur përplasje me Uashingtonin për luftën në Iran dhe ka refuzuar përdorimin e bazave spanjolle nga forcat amerikane, ndërsa ka kritikuar ashpër veprimet e Izraelit në Gaza.

Maroku, nga ana tjetër, mohon se qëndron pas valës së emigrantëve dhe, ashtu si qeveria spanjolle, ia atribuon atë dezinformimit në internet.

Marrëdhëniet mes Madridit dhe Rabatit kanë qenë historikisht të ndërlikuara. Spanja mbështetet te bashkëpunimi maroken jo vetëm për migracionin, por edhe për luftën kundër narkotikëve dhe terrorizmit.

Në vitin 2022, qeveria Sánchez ndryshoi gjithashtu qëndrimin tradicional të Spanjës për Saharanë Perëndimore, duke mbështetur propozimin maroken që territori të kalonte nën kontrollin e Rabatit. Vendimi u konsiderua në atë kohë një përpjekje për të siguruar bashkëpunim më të qëndrueshëm të Marokut, veçanërisht për migracionin.

Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje nëse kjo strategji ka funksionuar. Pasi ka forcuar pozicionin e tij mbi Saharanë Perëndimore, Rabati po rikthen gjithnjë e më hapur edhe çështjen e Ceutës dhe Melillës.

Përplasja mund të bëhet edhe më e ndërlikuar pas zgjedhjeve të ardhshme spanjolle. Feijóo shihet aktualisht si një prej kandidatëve kryesorë për të pasuar Sánchez dhe ka mbajtur një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Rabatit, ndërsa një qeverisje e mundshme me mbështetjen e Vox mund të ndryshojë ndjeshëm politikën e Madridit ndaj Marokut.