×
Monday, June 8, 2026

Për herë të parë shënohen shtigjet malore në Gjirokastër, nxitje për turizmin e aventurës

June 8, 2026


Për herë të parë në Gjirokastër ka nisur procesi i shënimit të shtigjeve malore, një nismë që synon të promovojë turizmin e aventurës dhe të nxjerrë në pah pasuritë natyrore, kulturore dhe tradicionale të zonave rurale.

Projekti po zbatohet për të lehtësuar orientimin e turistëve dhe për të krijuar një rrjet të identifikueshëm shtigjesh që lidhin fshatrat, zonat malore dhe peizazhet karakteristike të jugut të vendit. Nisma pritet të përmirësojë përvojën e vizitorëve, duke e bërë më të sigurt dhe më të aksesueshëm eksplorimin e territorit.

Eksperti i turizmit të aventurës dhe aktivisti sportiv, Joan Dhandili, e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit malor në rajon.

Sipas tij, shënimi i shtigjeve nuk ndihmon vetëm turistët në orientim dhe siguri, por krijon edhe mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale, duke rritur interesin për bujtinat, produktet tradicionale dhe shërbimet turistike që ofrohen në fshatrat e zonës.

“Ky është një investim që lidh natyrën me zhvillimin ekonomik lokal dhe i jep mundësi vizitorëve të zbulojnë anën autentike të Gjirokastrës”, u shpreh ai.

Vitet e fundit, Gjirokastër është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj, jo vetëm për trashëgiminë kulturore dhe historike, por edhe për potencialin që ofron në ecjet malore, çiklizëm, eksplorim natyror dhe përjetime autentike në zonat rurale.

Me këtë projekt, autoritetet dhe aktorët lokalë synojnë ta pozicionojnë Gjirokastrën si një destinacion të rëndësishëm të turizmit të aventurës në Shqipëri dhe rajon.




Comments are closed.