Turistët britanikë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt destinacioneve evropiane me fluturime më të shkurtra, duke favorizuar vende që ofrojnë përvoja autentike, natyrë dhe raport të mirë cilësi–çmim. Mes destinacioneve që po fitojnë më shumë popullaritet është edhe Shqipëria.
Sipas një raporti të cituar nga media britanike Business Insider, kompania Baltic Travel ka vënë re një ndryshim të dukshëm në preferencat e familjeve dhe çifteve që planifikojnë pushimet verore. Turistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacione më pranë Britanisë së Madhe, duke preferuar udhëtime më të shkurtra dhe vende më pak të eksploruara.
Të dhënat tregojnë se kërkimet për paketa pushimesh në Kroaci janë rritur me 273% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ato për Shqipërinë janë rritur me 92%.
Sipas raportit, të dy vendet po tërheqin interes të madh falë bregdetit, peizazheve natyrore, aktiviteteve në natyrë dhe mundësisë për të shmangur resortet e mbipopulluara me sistem “all-inclusive”.
Një tjetër faktor që po ndikon në këtë trend është koha e shkurtër e fluturimit, e cila u jep turistëve britanikë më shumë fleksibilitet për pushime fundjave ose njëjavore.
Edhe pse destinacione tradicionale si Italia, Spanja dhe Portugalia vijojnë të mbeten të preferuara, specialistët e turizmit kanë vënë re një interes në rritje për zona më pak të njohura, ku udhëtarët mund të përjetojnë kulturën lokale dhe natyrën.
Sipas raportit, Riviera Shqiptare ka ndërtuar gradualisht një reputacion të fortë falë plazheve të pastra, peizazheve malore dhe raportit të favorshëm cilësi–çmim, duke u shndërruar në një alternativë gjithnjë e më tërheqëse ndaj destinacioneve tradicionale të Mesdheut.
Drejtoresha ekzekutive e Baltic Travel, Birthe Nielsen, tha se turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë përvoja autentike dhe jo vetëm pushime në plazh.
“Po shohim një interes të jashtëzakonshëm nga turistët, që duan më shumë nga pushimet e tyre dhe që kërkojnë peizazhe të jashtëzakonshme dhe mot të ngrohtë brenda një kohe relativisht të shkurtër udhëtimi”, u shpreh ajo.
Sipas Nielsen, shumë vizitorë preferojnë të kalojnë kohën duke eksploruar qytete historike, duke bërë ecje në natyrë, apo duke shijuar plazhe më të qeta me familjet e tyre.
Ekspertët e turizmit parashikojnë se kërkesa për destinacione të afërta dhe me përvoja autentike do të vazhdojë të rritet edhe në vitet e ardhshme, duke e vendosur Shqipërinë mes përfituesve kryesorë të këtij trendi.


