Parlamenti Evropian ka miratuar raportin e Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) për Maqedoninë e Veriut, të hartuar nga raportuesi i përhershëm Thomas Waitz, duke evidentuar sfidat që vendi vijon të ketë në rrugën drejt integrimit evropian.
Raporti mbështet gjetjet e Komisionit Evropian dhe vë në dukje mungesën e progresit në reformat në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa u bën thirrje autoriteteve të Shkupit të zbatojnë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Një nga amendamentet e miratuara nga eurodeputetët trajton çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës. Parlamenti Evropian u kërkon institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të adresojnë sa më shpejt këtë problem dhe të garantojnë zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat gjuhësore dhe barazinë institucionale.
Në dokument theksohet gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në nivel ligjor ashtu edhe në praktikë, me qëllim sigurimin e përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe në proceset institucionale dhe akademike.
Raporti ndalet edhe te protestat studentore në vend, duke theksuar se ato nuk duhet të paraqiten si faktor destabilizues apo të interpretohen automatikisht si të motivuara politikisht. Eurodeputetët kërkojnë nga autoritetet maqedonase një qasje të balancuar dhe të kujdesshme në trajtimin e kërkesave të studentëve.
Parlamenti Evropian nënvizon se respektimi i të drejtave të komuniteteve, forcimi i shtetit të së drejtës dhe avancimi i reformave mbeten elementë kyç për progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.


