Ministria e Mbrojtjes zbardh operacionin në malin e Krujës: Mbi 280 efektivë, helikopterë dhe dronë në luftë me flakët

09 Aug 2026 10:01
Shpërndaje:

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar detaje nga operacioni për përballimin e zjarrit në malin e Krujës, duke bërë të ditur se strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijuan ndërhyrjen pa ndërprerje gjatë gjithë natës për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas ministrisë, në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Operacioni u mbështet me një numër të konsiderueshëm mjetesh dhe pajisjesh, ku u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse, tre helikopterë të Forcës Ajrore, droni Bayraktar TB2, dy dronë me kamera termike të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), autoambulanca, si dhe Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e vendosur në zonë për koordinimin dhe monitorimin e ndërhyrjes.

Reklamë Ola

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndoqi nga afër situatën në terren dhe koordinoi angazhimin e Forcave të Armatosura, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe strukturave të tjera të emergjencave civile.

Ministria bëri të ditur se, falë ndërhyrjes së koordinuar, nuk pati asnjë viktimë apo person të lënduar, ndërsa u regjistruan vetëm dëme materiale.

Reklamë InterMedika

Sipas njoftimit, operacioni vijon me angazhim maksimal, ndërsa situata monitorohet vazhdimisht si nga toka ashtu edhe nga ajri.

Prioriteti i autoriteteve mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit në zonën e malit të Krujës.