Deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, duke derdhur thasë me qymyr në hyrje, në shenjë proteste ndaj politikave energjetike të qeverisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Krahas qymyrit, deputetët vendosën edhe një pankartë me mbishkrimin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”.
Sipas AAK-së, qymyri simbolizon potencialin e madh energjetik të Kosovës, i cili, sipas përfaqësuesve të kësaj partie, nuk po shfrytëzohet sa duhet, ndërkohë që vendi vazhdon të importojë energji elektrike.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, deklaroi se aksioni synon të tërheqë vëmendjen ndaj situatës në sektorin energjetik dhe nevojës për investime të reja në prodhimin vendas.
“Mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu”, tha Ramadani.
Ai shtoi se një nga pikat kryesore të ofertës së AAK-së lidhet me ndërtimin e një termocentrali të ri. Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë viteve të fundit rreth 1 miliard euro janë shpenzuar për blerjen e energjisë elektrike nga Serbia dhe vende të tjera, duke akuzuar atë që e cilësoi si “mafia energjetike” se ka përfituar nga kjo situatë.
Deputeti i AAK-së ngriti gjithashtu çështjen e sigurisë së punonjësve që punojnë në nxjerrjen e qymyrit, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe menaxheriale për rastet kur punëtorët humbin jetën gjatë punës.
Aksioni i AAK-së vjen në një periudhë tensionesh të shtuara politike në Kosovë dhe pas protestave të zhvilluara nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Këta të fundit kishin bllokuar hyrjen e ndërtesës së Qeverisë, duke akuzuar Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për ngërçin institucional dhe moskonstituimin e institucioneve të reja.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ku Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë me 53 mandate, por pa numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.
Për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e shumicës parlamentare nevojiten të paktën 61 deputetë, ndërsa zgjedhja e presidentit kërkon që në dy raundet e para të jenë të pranishëm të paktën 80 nga 120 deputetët e Kuvendit.
Në këtë situatë, përplasjet mes partive për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit kanë thelluar ngërçin politik, ndërsa opozita ka shtuar presionin ndaj Kurtit përmes aksioneve të njëpasnjëshme para selisë së Qeverisë.


