×
Tuesday, June 16, 2026

Nufi në Uashington: Partneriteti me SHBA-të mbetet kyç për modernizimin e Forcave të Armatosura

June 16, 2026


Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një takim në Uashington me drejtoreshën në detyrë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), Mary Beth Morgan, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për avancimin e projekteve me interes të përbashkët në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri theksoi se partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve mbetet një nga shtyllat kryesore për modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimin e rolit të vendit në kuadër të NATO-s.

“Bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet shtyllë themelore për modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimin e kontributit të vendit në kuadër të aleancës brenda NATO-s”, u shpreh Nufi.

Vizita e ministrit në SHBA zhvillohet në kuadër të aktiviteteve për 25-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, një bashkëpunim që ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, sigurisë dhe ndërveprueshmërisë mes dy vendeve aleate.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Nufi ka marrë pjesë në aktivitete përkujtimore në Nju Xhersi, si dhe ka zhvilluar takime dhe konsultime dypalëshe në Uashington për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.




Comments are closed.