Një histori e pazakontë për kohët moderne, por ende e pranishme në disa zona të vendit, u rrëfye në rubrikën “Ka një Mesazh për Ty” të emisionit E diela Shqiptare në TV Klan.
Anxhi, 21 vjeçe nga një fshat i Berat, tregoi se si familja e saj e detyroi të ndërpriste studimet në moshën 16-vjeçare me qëllim që ta martonte.
E reja kujtoi fëmijërinë e vështirë dhe marrëdhënien e tensionuar me të atin, i cili emigronte shpesh jashtë vendit. Sipas saj, mungesa e afërsisë dhe e mbështetjes emocionale ndikoi në vitet e para të jetës.
“Gjithmonë kam qenë ai fëmija që dëgjonte ‘shko lexo, mos fol, s’kam nerva’. Kishim shumë zënka me babin që kur isha rreth 10 vjeçe”, tregoi ajo gjatë rrëfimit.
Pavarësisht vështirësive, Anxhi arriti të përfundonte shkollën 9-vjeçare me rezultate të shkëlqyera dhe vazhdoi gjimnazin në qytetin e Beratit, ku qëndronte në konvikt. Megjithatë, pas vitit të parë të shkollës së mesme, familja vendosi ta largonte nga arsimi.
“Një ditë vendosën të më heqin nga shkolla. Motivi ishte një martesë që do të më priste në mes të gjitha ëndrrat”, u shpreh ajo.
Sipas Anxhit, familja kishte zgjedhur për të një djalë nga i njëjti fshat, i cili merrej me blegtori dhe kishte një mënyrë jetese krejt të ndryshme nga aspiratat e saj.
“Duhej të mbyllja jetën time si një grua në kohët e hershme, që i përkushtohej vetëm familjes dhe shtëpisë. Unë nuk ia pranoja vetes këtë”, tha 21-vjeçarja.
Ajo rrëfeu se që në fëmijëri kishte ëndërruar të bëhej aktore ose gazetare dhe e shihte shkollimin si rrugën e vetme për të ndërtuar të ardhmen që dëshironte.
Historia e saj solli në vëmendje fenomenin e martesave të hershme dhe presionin familjar që ende prek disa vajza, pavarësisht ndryshimeve shoqërore dhe mundësive më të mëdha për arsimim e emancipim.


