Muzeu i Hebrenjve në Vlorë, historia e “Besës” shqiptare që duhet t’i tregohet botës

14 Aug 2026 21:49
Shpërndaje:

Nga Ermal Peçi

Historia e shqiptarëve që strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga dëshmitë më të veçanta të humanizmit shqiptar. Restaurimi i Muzeut të Hebrenjve në Vlorë shihet tashmë si një mundësi që kjo histori të ruhet, por edhe të njihet shumë më gjerësisht jashtë kufijve të vendit.

Në një kohë kur Europa ishte përfshirë nga përndjekja dhe shfarosja e hebrenjve nga regjimi nazist, familje shqiptare hapën dyert për njerëzit që kërkonin shpëtim. Ata i strehuan, i fshehën dhe i mbrojtën, edhe pse një veprim i tillë mund të vinte në rrezik jetën e tyre dhe të familjarëve.

Reklamë Ola

Në qendër të kësaj historie qëndron edhe “Besa”, e cila nuk ishte vetëm një fjalë, por një parim që lidhte nderin me mbajtjen e fjalës dhe mbrojtjen e mikut.

“Pas çdo familjeje hebreje të shpëtuar kishte një familje shqiptare që kishte pranuar të rrezikonte gjithçka. Pas çdo dere të hapur për një të përndjekur qëndronte frika e kontrollit nazist. Por frika nuk ishte më e fortë se besa”, shkruan Ermal Peçi.

Reklamë InterMedika

Në këtë kontekst, Muzeu i Hebrenjve në Vlorë mund të marrë një rol që shkon përtej ruajtjes së dokumenteve, fotografive dhe dëshmive historike. Ai mund të shndërrohet në një hapësirë ku brezat e rinj mësojnë jo vetëm për Holokaustin, por edhe për zgjedhjet që njerëzit e zakonshëm bënë përballë persekutimit.

Sipas autorit, muzeu duhet të shërbejë si një “ambasador” i kësaj historie, duke i treguar botës se si Shqipëria, në një prej periudhave më të errëta të historisë evropiane, pati njerëz që zgjodhën të mbronin jetën.

Kjo trashëgimi mund të shndërrohet gjithashtu në një element të rëndësishëm të turizmit të kujtesës. Vlora mund të zhvillojë itinerare historike, guida të specializuara, ekspozita dhe dokumentarë, si dhe bashkëpunime me institucione në Izrael, SHBA dhe vende të tjera të Evropës.

Në këtë mënyrë, vizitorët e huaj nuk do ta njihnin Shqipërinë vetëm për Rivierën, natyrën apo gastronominë, por edhe për një histori njerëzore që e dallon atë si destinacion.

Kur Muzeu i Hebrenjve në Vlorë të hapë dyert pas restaurimit, sfida do të jetë që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm brenda mureve të tij, por të arrijë te vizitorët dhe publiku ndërkombëtar.

“Në kohën kur shumë dyer në Europë u mbyllën përballë hebrenjve nga frika e nazistëve, në Shqipëri pati njerëz që zgjodhën t’i hapnin. Kjo është historia që Shqipëria dhe Vlora duhet t’ia tregojnë botës”, përfundon autori.

Marrë nga Mapo.al