Avionët luftarakë të misionit të NATO-s për Policimin Ajror të Baltikut kanë rrëzuar gjatë natës një dron që hyri në hapësirën ajrore të Letonisë, pranë kufirit me Rusinë.
Sipas Forcave të Armatosura të Letonisë, droni u neutralizua pranë fshatit Rugāji, në verilindje të vendit. Për kapjen e tij u ngritën në ajër avionë Eurofighter italianë, të dislokuar në Lituani, si dhe avionë F-16 turq të vendosur në Estoni.
Ushtria letoneze tha se mjeti ajror pa pilot kishte hyrë në territorin e vendit “si rezultat i luftës elektronike ruse”.
Incidenti ndodhi në një ditë me aktivitet të lartë ushtarak në rajon. Më herët, mbi 50 dronë ukrainas kishin sulmuar objektiva në rajonet perëndimore të Rusisë, përfshirë Leningradin dhe Tverin. Mes objektivave të goditura ishte edhe Ust-Luga, porti i dytë më i madh i Rusisë.
Rreth orës 04:00 të mëngjesit, autoritetet shpallën alarm ajror në katër bashki në lindje të Letonisë. Banorëve iu kërkua të qëndronin brenda ndërtesave dhe larg mureve të jashtme.
Pas rrëzimit të dronit, autoritetet lokale konfirmuan se nuk kishte viktima apo të plagosur. Mbetjet e mjetit ranë në një zonë të pyllëzuar pranë Rugāji.
Forcat e Armatosura të Letonisë paralajmëruan se incidente të ngjashme mund të përsëriten për sa kohë vazhdon lufta në Ukrainë.
“Për sa kohë agresioni rus në Ukrainë vazhdon, është e mundur të përsëriten raste kur mjete ajrore të huaja pa pilot hyjnë ose afrohen në hapësirën ajrore të Letonisë”, thuhet në deklaratë.
Incidentet me dronë janë shtuar muajt e fundit në vendet pranë zonës së luftës. Vetëm një javë më parë, autoritetet bullgare raportuan se një dron i prodhimit ukrainas kishte kaluar nga Rumania në hapësirën ajrore të Bullgarisë dhe kishte shpërthyer pranë fshatit Kardam.


