Kryeministri Edi Rama ka bërë apel për më shumë përgjegjshmëri nga drejtuesit e mjeteve, ndërsa paralajmëroi forcimin e kontrolleve në akset rrugore përmes teknologjisë dhe sistemeve të monitorimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se së shpejti pritet të vihen në funksion kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit, të cilat do të shërbejnë për evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.
Sipas kreut të qeverisë, siguria rrugore mbetet një prioritet, ndërsa vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet disa prej shkaqeve kryesore që rrisin rrezikun e aksidenteve.
Rama u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, të mos konsumojnë alkool apo lëndë narkotike dhe të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë.
Kryeministri publikoi gjithashtu të dhëna mbi kontrollet e zhvilluara gjatë kësaj jave. Sipas tij, janë vendosur rreth 1.100 masa administrative vetëm për tejkalim të normave të shpejtësisë.
Mes shkeljeve të konstatuara janë evidentuar edhe raste ekstreme, ku drejtues automjetesh janë kapur duke udhëtuar me shpejtësi deri në 230 kilometra në orë.
Aktivizimi i kamerave të Qendrës Kombëtare të Monitorimit pritet të shtojë kontrollin në rrugët kryesore dhe të mundësojë evidentimin më të shpejtë të shkeljeve, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.


