Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ndodhen në Krujë, ku po ndjekin nga afër situatën e krijuar nga zjarret dhe po koordinojnë operacionet për vënien e flakëve nën kontroll.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës Barabit-Lluban të bashkëpunojnë me Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit gjatë procesit të evakuimit, duke zbatuar udhëzimet e strukturave të emergjencës dhe duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e tyre.
“Bashkëpunimi i qytetarëve me strukturat e emergjencës është thelbësor për një evakuim të sigurt dhe efektiv”, thuhet në apelin e autoriteteve.
Ministrat Nufi dhe Lamallari përsëritën thirrjen për evakuim të menjëhershëm të banorëve të zonave të rrezikuara, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon në disa fronte.
“Jeta dhe siguria juaj janë prioritet mbi gjithçka tjetër”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Që prej orëve të pasdites, operacioni është intensifikuar me angazhimin e tre helikopterëve të Forcës Ajrore, të cilët po ndërhyjnë nga ajri, në koordinim me forcat operacionale në terren dhe strukturat vendore të emergjencës civile.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se terreni i thepisur dhe vështirësitë e ndërhyrjes nga toka e bëjnë operacionin kompleks, ndaj po punohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri për të izoluar dhe shuar sa më shpejt vatrat e zjarrit.
Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të respektojnë udhëzimet e forcave të emergjencës dhe të mos qëndrojnë në zonat e rrezikuara, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve vijojnë pa ndërprerje.


