Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke bërë të ditur se operacioni për përballimin e flakëve është mbyllur pa viktima dhe pa dëme për banorët.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama njoftoi se bilanci i zjarrit ishte vetëm një magazinë e shkrumbuar, ndërsa nuk është raportuar asnjë banor i lënduar apo i dëmtuar.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës”, shkroi kryeministri.
Rama vlerësoi angazhimin e forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të cilat luftuan me flakët gjatë gjithë natës në kushte të vështira, për shkak të erës së fortë dhe pamundësisë për të përdorur mjetet ajrore për ndërhyrje.
Sipas tij, profesionalizmi dhe koordinimi i strukturave në terren bënë të mundur shmangien e një bilanci që mund të kishte qenë shumë më i rëndë.
Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët dhe punonjësit e angazhuar në operacion, duke i cilësuar si “heronjtë tanë të vijës së zjarreve” gjatë këtij muaji gusht, i karakterizuar nga temperatura të larta dhe një numër i madh vatrash zjarri.
Ai theksoi se ndërhyrja e koordinuar e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore siguroi mbrojtjen e banorëve dhe evitimin e një tragjedie në zonën e Krujës.
Reagimi i Ramës vjen pasi gjatë natës autoritetet zhvilluan një operacion të gjerë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa më herët ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme ndoqën nga afër situatën në terren dhe koordinuan operacionet e emergjencës.


