Kancelari gjerman Friedrich Merz do të mbledhë të enjten një grup udhëheqësish evropianë që kërkojnë reduktimin me qindra miliarda euro të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian.
Takimi zhvillohet ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, po zhvillon konsultime në vendet anëtare në përpjekje për të gjetur një kompromis mbi një prej çështjeve më të debatueshme financiare të BE-së.
Merz ka kundërshtuar propozimin e Komisionit Evropian për një buxhet prej afro 2 trilionë eurosh për periudhën 2028-2034. Në takimin e thirrur prej tij pritet të marrin pjesë udhëheqësit e Holandës, Finlandës, Austrisë, Danimarkës dhe Suedisë.
Kancelari gjerman po kërkon që shpenzimet e propozuara nga Brukseli të reduktohen ndjeshëm. Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe kancelari austriak Christian Stocker.
“Buxheti i përgjithshëm duhet të reduktohet ndjeshëm, me qindra miliarda euro”, deklaroi Stocker për POLITICO.
Sipas tij, vendet anëtare nuk mund të përballen me masa kursimi në nivel kombëtar, ndërkohë që në Bruksel diskutohet buxheti më i madh në historinë e Bashkimit Evropian.
“Është e papranueshme që Brukseli po diskuton buxhetin më të madh në histori, ndërsa ne në vendet tona duhet të shtrëngojmë rripin”, tha kancelari austriak.
Në të njëjtën kohë, António Costa po vazhdon takimet me udhëheqësit e vendeve anëtare për të afruar qëndrimet mbi buxhetin. Ndalesa e radhës e presidentit të Këshillit Evropian është Praga.
Përplasja paralajmëron negociata të vështira për buxhetin e BE-së për vitet 2028-2034, me një grup vendesh që kërkojnë kufizimin e shpenzimeve dhe uljen e ndjeshme të propozimit të Komisionit Evropian.


