Avokati i Popullit ka bërë të ditur se i ka dhënë zgjidhje ankesës së një qytetari, i cili rezultoi se ishte mbajtur padrejtësisht në burg për më shumë se nëntë muaj për shkak të një mosllogaritjeje të periudhës së dënimit.
Sipas institucionit të drejtuar nga Endrit Shabani, qytetari me inicialet I.K. ngriti shqetësimin se autoritetet kompetente nuk i kishin llogaritur në kohën e vuajtjes së dënimit periudhën që ai kishte kaluar në paraburgim në Greqi, si dhe uljen e dënimit të përfituar nga amnistia e vitit 2024.
Pas ankesës, Avokati i Popullit nisi një hetim administrativ për verifikimin e rastit.
Nga hetimi, sipas njoftimit, u konstatua se qytetari kishte qëndruar në burg 9 muaj e 18 ditë më shumë nga sa duhej.
Institucioni e konsideron rastin një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, pasi privimi i padrejtë nga liria kishte ardhur si pasojë e mosllogaritjes së periudhës së paraburgimit të kryer në Greqi nga ana e prokurores me inicialet A.P.
Pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, çështja mori zgjidhje dhe qytetari u lirua.
Sipas informacionit të publikuar, ndaj prokurores përgjegjëse është marrë edhe masë financiare, duke iu ulur paga me 40%.
Rasti ngre shqetësime mbi zbatimin korrekt të vendimeve penale dhe llogaritjen e periudhave të paraburgimit, veçanërisht kur ato janë kryer jashtë vendit, pasi gabime të tilla mund të çojnë në privim të padrejtë të qytetarëve nga liria.


