Forcat e Armatosura vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit, ndërsa në ndërhyrje janë angazhuar edhe avionë Air Tractor dhe helikopterë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se situata po menaxhohet në Gurë-Lurë të Dibrës, Tërbun të Pukës dhe në Dajt, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, zjarri është izoluar falë korridoreve të hapura për të penguar përhapjen e flakëve. Operacioni për shuarjen e plotë vijon me angazhimin e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dy avionëve Air Tractor.
“Në Gurë-Lurë, Dibër zjarri është izoluar falë korridoreve të hapura, teksa vijon puna për shuarjen me 30 efektivë të FA dhe dy avionë Air Tractor”, deklaroi Nufi, duke theksuar se nuk ka rrezik që flakët të përhapen drejt banesave.
Forcat janë të angazhuara edhe në Tërbun të Pukës, ku operacioni po zhvillohet me mbështetjen e 30 efektivëve dhe dy helikopterëve.
“Në Tërbun, Pukë operacioni vijon me 30 efektivë të FA dhe dy helikopterë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara”, bëri të ditur ministri.
Ndërkohë, operacioni vazhdon edhe në Malin e Dajtit, në Tiranë. Në këtë zonë janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter për izolimin e vatrave të zjarrit.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, situata në Priskë është nën kontroll, ndërsa vatra në Vakumone është izoluar.
“Nuk ka rrezik për zonat e banuara, zjarri në Priskë është nën kontroll, ndërsa në Vakumone vatra e zjarrit është izoluar”, deklaroi Nufi.
Operacionet në terren vijojnë me synimin për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa forcat tokësore dhe ajrore mbeten të angazhuara në zonat e prekura.


