Franca dëbon dy diplomatë iranianë, thellohet përplasja mes Parisit dhe Teheranit

18 Aug 2026 22:50
Shpërndaje:

Franca ka vendosur të dëbojë dy diplomatë iranianë në ditët në vijim, duke shënuar një tjetër përshkallëzim të tensioneve diplomatike mes Parisit dhe Teheranit.

Vendimi u njoftua nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, përmes një postimi në platformën X. Sipas tij, masa është përgjigje ndaj incidentit të muajit të kaluar në Teheran, ku dy punonjës të ambasadës franceze u ndaluan nga autoritetet iraniane.

Parisi pretendon se dy punonjësit u ndaluan dhe u kërcënuan nga pjesëtarë të shërbimeve iraniane të sigurisë, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe shkelje të imunitetit diplomatik.

Reklamë Ola

Vendimi francez vjen vetëm një ditë pasi Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se dy punonjësit e ambasadës franceze të përfshirë në incident nuk do të lejohen të rikthehen në Iran.

Teherani ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Autoritetet iraniane pretendojnë se punonjësit francezë ishin përfshirë në aktivitete në mbështetje të shoqërisë civile iraniane, të cilat Irani i konsideron ndërhyrje në punët e brendshme të vendit dhe shkelje të Konventës së Vjenës.

Reklamë InterMedika

Franca, nga ana tjetër, i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka vendosur të përgjigjet me masa reciproke ndaj personelit diplomatik iranian.

Incidenti shton tensionet në marrëdhëniet mes Francës dhe Iranit, ndërsa përplasja tashmë është zhvendosur edhe në nivel diplomatik, me të dyja vendet që po marrin masa ndaj përfaqësuesve të palës tjetër.